| MZ - Thomas Hobbes (1588 - 1679) |
Kur s'ka art dhe s'ka letra, nuk ka as edhe shoqëri të qytetëruar dhe ç'ka është edhe më e keqe se gjithçka, është se, në një shoqëri të tillë, ka vetëm frikë të vazhdueshme dhe rrezik për vdekje të tmerrshme, për më tepër, jeta e njeriut në atë rast, është e vetmuar, e varfër, e shëmtuar dhe e shkurtër. |
| KE1/31 - Bliri |
| Bliri (Latn. Tilia cordata L.) është drupyjori karakteristik i bulevardeve të Korçës, të cilat janë zbukuruar me këtë specie, aty nga vitet ’60. Para këtyre viteve bulevardet kishin në të dy anët në shumicën e rasteve akacie, ose si quhen në gjuhën e popullit, ‘rogovecka’. Bliri i bulevardeve të Korçës në vartësi të motit, kulmin e lulëzimit e ka zakonisht në muajin Qershor. Në ditët e gjata dhe netët e bukura të këtij muaji, bulevardet e Korçës përfshihen nga një aromë veçanërisht e këndshme që përhapet prej luleve të kësaj peme. Në Korçë eshtë gjetur që gjatë dimrit i bëhet kësaj peme një krasitje e rëndë, e cila i jep drurit një kurorë të kontrolluar, sferike, dhe të përmasave që përputhen me hapësirat e bulevardeve tona. |
Nuk ka më kuptim,
të thuash: “Jetë qeni!”
mendoja,
një ditë tek shikoja,
qentë, që para portës së shtëpisë na kalojnë,
qentë, që në lagjen tonë banojnë.
Këtu tek ne, qentë anekënd,
si në Wonderland,
shëtisin të larë, të pastër si drita, qimengrehur,
shpesh me pallto, papion, a në kokë fjongo, stil Barbie cullufekrehur,
si qeni Rudolf, fjala vjen, që pashë dje,
tek ecte, para portës tonë më nge.
Më erdhi për të zili,
a më mirë t’ua them hapur, më lindi për atë qen, një cmirë,
sidomos kur pashë, sesi ky qen tërhiqte pas, të zotin e vet të mirë,
i cili, me bermuda, lesh pakrehur, sy palarë,
ngritur prej shtëpie aron-aron,
sepse, qeni duhej nxjerrë për nevojën e parë,
me letra, celofane nëpër duar, mbushur, ngarkuar,
gjith’ shqetësim, por i duruar,
gati nevojën e qenit priste, si njeri i qytetëruar.
-Mirëmëngjes!- i thashë të zotit dje,
-Ç’thotë Zonja?-
dhe me kokë i tregova qenin e tij, që pranë portës nuhatte më nge.
Bah!
Ai, ç’të shikoje, i mërzitur, i ofenduar, i fyer sa s’ka,
më pa shtrembër, as mirëmëngjes s’më tha.
-Nuk është Zonjë, zotëri, shikoje mirë,
është Zotni, Rudolf e quajnë! -
Dhe morri pastaj, me vrap tatëpjetë,
sepse Rudolfi shkoj gjetkë të nuasë, të ngrerë këmbën përpjetë,
të marrë vesh, se kush më parë andej pat kaluar,
“të lexojë” gazetën e qenërve, që këta e botojnë duke e lëshuar,
atë,
anë e kënd,
tek ne, këtu në Wonderland.
Ilia V. Ballauri,
duke zbardhur ditët,
7/7/ dhe 8/7/, 2013.
| Share |
Copyright © 2011 Ilia V. Ballauri
All Rights Reserved.