MZ - Aforizmë: Nektar Tërpo - Voskopojari

Papës së Romës ditën e parë që ulej në fronin papal i ndiznin përpara disa kashtëra dhe kardinali i thesh:

Beatissimo Padre, I Nderuar Pater, kaq është kjo jetë dhe kaq është lavdia e kësaj bote, sa ky tym!


Mali_i_Thate Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë. Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a prrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit. Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit ku quhet Galicicë. Mali i Thatë ndan liqenin e Prespës së Madhe (në lindje të vet), nga ai i Ohrit (në perëndim). Për nga ana gjeologjike Mali i Thatë përbëhet kryesisht prej formacione gëlqerorësh të periudhës së mesozoikut.
Konfiguracioni i Malit të Thatë është tepër interesant. Nga ana e Fushës së Korçës (pra nga jugperëndimi), por edhe nga ajo e Liqenit të Pogradecit (pra nga perëndimi) ai është shumë i pjerët dhe impozant, ndërsa nga veriu dhe lindja ai ka zbritje të buta, me pllaja – pllaja.  Lartësia e tij lëviz nga 900m deri në 2287m, me një mesatare mbizotëruese në 1400m. Maja e tij nuk është e mprehtë por përkundrazi, ajo është e rrafshtë, e sheshtë dhe me gropa karstike. Të tilla gropa janë të pranishme gjithashtu edhe në anën perëndimore të tij. Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit (pra maja e tij është, majë pusi!) e cila është 2287m mbi nivelin e detit. Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jugë dhe është i gjërë rreth 8km në pjesën qëndrore të vet. Mali i Thatë duket shumë bukur, si prej Korçe ashtu dhe prej Pogradeci.
Ai përmëndet thuajse në një sërë përshkrimesh historike të bëra në shekuj, prej udhëtarësh, kronikanësh apo studiuesish të ndryshëm, kur këta i referohen anëve tona. Përmëndet indirekt apo direkt, në shkrimet e lashta, në ato bizantine, në ato osmane, e deri tek shkrimet e udhëtarëve të huaj të cilët kaluan këtej, në këto shekujt e fundit.
Flora është e pasur, në pjesën jo të pjerët të malit, pra në atë lindore e veriore, dhe në mbulesën e gjelbërt të këtij mali gjenden, luadhe (ku ka edhe salep e krokus), drurë ahu, dushk si dhe shkurre të ndryshme. Kohët  e fundit ndaj pyjeve që veshin Malin e Thatë, janë bërë mjaft dëmtime ekologjike, nëpërmjet prerjeve jo të rregullta të drurëve pyjorë dhe të shfrytëzimit të gurit gëlqeror duke e ç’veshur edhe më tepër, këtë mal të thatë. Lidhur me faunën përmëndet se, përveç shpendëve të ndyshme, aty ka mjaft ujqër si dhe rrallë herë takohet edhe ariu. Ndërkaq në Goricë, që është një fshat në këmbën veriore të këtij mali, gjenden baokside hekuri dhe minerale kalçiumi dhe magnezi.
Mali i thatë ndahet prej Malit Ivan (1768m mbi nivelin e detit) prej një qafe, Qafës së Zvezdës, e cila ndan njëkohësisht edhe fushën e Korçës nga pellgu i Liqenit të Prespës. Kjo qafë ndodhet në lartësinë 1099m, mbi nivelin e detit.

Thuajse në këmbë të Malit të Thatë, ndodhet edhe grykëklaimi i Cangonjit që lidh fushën e Korçës, me atë të Devollit. Në rrëzë të tij ndodhen gjithashtu një sërë fshatrash si, Tushemisht, Alarup, Bletas, Podgorie, Korritë, Gurbardhë, Zvezdë, Shën Gjergj, Burimas, etj.
Nga maja e Malit të Thatë në kohë të kthjellët duket maja e malit të Gramozit, që është në një distancë në vijë të drejtë prej 65 km larg (foto). 
 Së fundi, le të dëgjojmë edhe këto vargje liriko-erotike, të Lasgush Poradecit, të frymëzuara prej motiveve popullore të zonës, që i këndojnë aq bukur, dashurisë së anëve tona, aty rrëzë Malit tonë të Thatë.

 
Baladë 
         
 I 
Fryn veriu në Mal të Thatë,      
Thotë vasha lele ngriva.

Duro vashë, të durojmë
Si duron mali dëborën.

Në të shtënça, moj, në dorë,
Do të ngroh si top dëborë.
             
II
Fryn një erë e shkundërmuar,
Thotë vasha çeli molla.

Çeli vashë, le të çelë,
Si çel malli mu në zemër.

Në ma dhënç, moj beln'e hollë,
Do ta thyej si mënjollë,
Do të shtrydh posi një mollë.
        
III
Vjen e bën një vap'e rëndë,
Thotë vasha bubu plasa.
Duro vashë, të durojmë,
Si duron kallir' і pjekur.

Në më ardhç,o moj, në hije,
Do t'і puth për dhemshurie,
Do t'і skuq t'і ndez qirie,
Do t'і nxi t'і bëj mavie,
Ato buzë gjak-qershie.

IV
Zun' e shkojnë dallëndyshet,
Thotë vasha po venitem.

Venitu, vashë, venitu,
Siç venitet zemra ime.

Në të marça moj, përherë,
Do të shtroj të parën herë,
Do të ngroh të dytën herë
Do të puth të tretën herë
Buzë e gushë e gjinë e mjerë
Dh'atë shtatin që mban erë
Posi luleja në verë
Gjersa gjumi të më zerë,
Të më zerë e të më flerë
Syr' і urtë si mëshqerrë.

V
Vate dimri, vate vera,
Vate vjeshta përngahera.

Trim, më more-edhe më shtrove,
Trim, më ngrove-e më pushtove,
Trim, më puthe-e më mbarove,
Trim, o trim, seç trimërove.

VI
Atje lart në Mal' të Thatë,
Zoti – Krisht bëke një kishë.

N’atë kishë ç’paske brënda:
Qënka trimi edhe vasha:

Trimi, ç’paske dhëndëruar,
Vasha ç’paske nusëruar,
Zotin ç’paskan lavdëruar,
Jetën ç’paskan trashëguar,
Shpirtin ç’paskan shënjtëruar.

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Poezia: K. Kavafi, "Qirinjtë"

Konstandin Kavafi, lindi dhe vdiq në të njëjtin qytet, në Aleksandri të Egjiptit (1863 – 1933). Lindi dhe vdiq në të njëjtën ditë më 29 prill. Ishte fëmija i nëntë i Petro Kavafit, tregëtarit të madh të pambukut, në Egjipt i cili origjinonte në thellësi prej një familjeje të vjetër greke bizantine nga Kostandinopoja....

» BK/N - Bujqësia - Teknologjia ushqimore: Një monografi për bimën e elbit

Korça është për Shqipërinë, atdheu i birrës dhe birra prodhohet prej elbit. Për rrjedhojë, zona e Korçës është edhe zona e elbit distik dhe ka, si traditën më të vjetër për këtë bimë, ashtu edhe njohuritë shkencore më të thella për të. Gjithmonë në zonën tonë, historikisht është mbjellë edhe sipërfaqja më e...

» BK/LA - Poezi - Sofokliu, Arkilolu, Anakreonti

Poezi - pjesë nga Sofokliu, Akriloku dhe Anakreonti, zgjodhi dhe i shqipëroi, Ilia V. Ballauri, Sofokliu, Antigoni vrg.780-800.Eros që kurrë nuk mundesh,që kurr nuk qetsohesh,Ti që shigjeta derdh rebesh,dhe shigjetë s’të shkon huq,ndez, vë zjarr, bën faqet prush të kuq,

» MZ/Poezia - Homeri mbi kapjen në flagrancë të pabesisë bashkëshërtore.

 Â Për herë të parë, nuk ka qënë njeriu por perënditë që kanë dashuruar vjedhurazi duke shkelur besën bashkëshortore, kështu thonë mithet dhe kështu thotë Homeri, tek rapsodia e 8-të e Odisesë. Perëndia e bukurisë femërore, e dashurisë, e të shtriturit në shtrat, Afërdita (ose Venusi, për latinët), e pa përmbajtur...

» BK/LA - Letrat - Poezia lirike - Këngë lotimi.

Për poezinë e më poshtme, që duket se përshkohet nga një finesë ndjenjash, përveç dy inicileve, nuk kemi asnjë të dhënë për autorin e saj. Ajo gjendet e botuar në shtypin e Korçës të vitit 1927, “Kalendari, Korça 1927”, botuese Dhori Koti, Korçë. Riprodhimi i mëposhtëm është sjellë me arkaizmin tipik të kohës siç...

Share