MZ - Aforizmë: Lasgush Poradeci

Gjer më sot shumë veta kanë shkruar kundra meje, por asnjë-herë s’jam përgjigjur. Se poeti s’përgjigjet, poeti bën veprën, vepra le të përgjigjet. Po të mos flasë ajo, poeti s’ka ç’të thotë.

Nxjerrë nga: "Lasgushi më ka thënë, ..."
P. Kolevica

(Vazhdon: shih dhe pjesën 1-rë e cila flet për mendimet e L. Poradecit për kulturën botërore)


Ja tani dhe disa mendime të Lasgushit, për shkrimtarin dhe teknikat e shkrimit, të kapura dhe të
shënuara duket me plot mprehtësi, prej P. Kolevicës gjatë orëve që të dy kalonin bashkë duke diskutuar për letrat.


*

Vetëm sakrifica, kushtimi total, devotamenti total, veç sakrifikimi i jetës materiale, e mposht kohën, e fiton kohën, duke na drejtuar, duke na shpënë prej mizeries pragmatike, prej makulaturës dhe elukubracionit të jetës materiale, të interesit material, duke na drejtuar dhe shpënë prej afirmacionit të ashpër e të turbullt utilitarist, në purifikimin spiritual, në ëndjen e vetme, në të vetmen ëndje, në uniken ëndje - spirituale. 

*
Gjeniu i beson përhumbësisht asaj që krijon nëpërkëmb interesat, të gjitha, e sidomos interesat materiale.

*
Të tërë do të ikim nga kjo botë, por ne intelektualët, kemi për detyrë të lemë veprën që do të na përfaqësojë.
Ein Lebenswerk (Vepër  jete)! Kjo duhet.
Mund të bësh shumë gjëra, mund të shkruash shumë, por s’ka rëndësi. Rëndësi ka të arrish veprën që do të përfaqësojë. Kur sjellim ndërmënd artistin duhet të sjellim menjëherë ndërmënd  veprën që e përfaqëson. …

*
Asnjë poezi popullore, e çdo populli qoftë, nuk është e përsosur. Gjenden kur e kur vargje ose strofa të përsosura, por asnjëherë s’gjen një poezi të tërën të përsosur.
Poezia popullore kështu është, po asnjë poet s’mund të krijojë pa studiuar poezinë popullore, të paktën të vëndit të vet. Bërnsi ka marë nga poezia popullore jo fjalë, jo vargje, po stanse të tëra dhe i ka shkrirë në poezinë e vet. Nga poezia jonë popullore më të mira janë, “Kënga e Gjergj Elez Alisë” dhe një variant i këngës së, “Dhosi Zados Korçarit” botuar nga Thimi Mitko.

Monumenti_i_L.Poradecit *
Poezinë e bën Toni
Der Ton macht die Musik! (Toni e bën muzikën)
Ky e bën edhe poezinë.
P.sh. në poezinë time:

Fryn veriu në mal të thatë,

Thotë vasha lele ngriva, …

Vargu i parë i jep menjëherë tonin tërë poezisë, por ai që e ka përkthyer në frëngisht ia ka prishur tamam këtë ton kësaj poezie. Ja si thotë:

Le vent soufle sur la montagne seche, …


*
Poezia ka mundësira shprehëse më të mëdha nga ç’ka muzika.

*
Rimën ne nuk vëmë për formë, por e vemë, sepse potencializon vargun; dhe që të bëhet e tillë, duhet në harmoni me zhvillimin e brëndshëm spiritual të vargut.

*
Unë jam, Bucherwum (krimb librash) që ri ditë e natë mbi libra.

 

*
Liçenca poetike?
Ku pranon poezia liçenca! Ku ja lejon vetes poeti i madh liçencat!

*
E vetmja gjë që mbetet është poezia. Dhe nga kjo mbetet poezia e shkurtër. Vetëm kjo kalon shekujt. Nga proza s’mbetet gjë. Edhe kur mbeten, mbeten ato të shkurtrat.

*
Poetët s’kanë nevojë të shkruajnë shumë vëllime. Prej të gjithë poetëve na kanë mbetur nga dhjetë, pesëmbëdhjetë poezi. Le të shkruajnë sa të duan, prapë kaq mbeten. Sa poezi ka Fan Noli? S’ka as dhjetë! Kjo s’e ka penguar të jetë një nga poetët tanë më të fuqishëm.

*
Gjuha shpreh shpirtin dhe kulturën e një populli, prandaj dhe fjalë të njëllojta kanë kuptime jo të barabarta, ekuivalente nga njëra gjuhë te tjetra, sepse shprehin shpirtra dhe kultura të ndryshme. Kështu fjala Bukë ka një kuptim më të gjërë, më të thellë, më jetësor në shqip se sa p.sh. në rusisht fjala Hleba!
Ne themi: haj të hamë bukë, ose ke ngrënë bukë? Ose më hahet bukë!
Rusi thotë: haj të hamë, ose më hahet, kam uri.
Për rusin buka nuk është gjithë ushqimi, është një pjesë e ushqimit. Për shqiptarin, gjithmonë të varfër, buka shpreh tërë ekzistencën e vet.
Po kështu fjala Madamme, në frëngjisht shpreh një kulturë e një respekt tjetër nga ç’shpreh fjala Zonjë në shqip. Dhe kështu mund të vazhdojmë për shumë fjalë. Kjo specifikë e veçantë e gjuhëve e bën të vështirë përkthimin dhe prandaj përkthyesi duhet të ketë kulturë shumë të gjërë, … .

*
Gëtja i madh kish respekt për përkthyesin. I faleminderit - thesh -  atij përkthyesi që na jep një poezi të përkthyer në prozë sipas një përkthimi në prozë nga një gjuhë tjetër. I faleminderit dhe atij që na i jep një poezi të përkthyer në prozë, por nga origjinali. Më shumë i faleminderit atij që na i jep një poezi të përkthyer në poezi, por jo nga gjuha e origjinalit. Ca më shumë i faleminderit atij që na i përkthen një poezi në poezi nga origjinali edhe kur s’është përkthimi artistik.
Pastaj i faleminderit shumë e më shumë atij që na i përkthen një poezi në poezi nga gjuha e origjinalit dhe na i përkthen artistikisht. Kjo është një kënaqësi e veçantë. Kështu thesh Gëtja. Vetë ai nuk ish përkthyes i mirë.

*
Naimi nuk fitonte para me ato që shkruante, po harxhonte për ato që shkruante. Nuk ngopte barkun, por ngopte shpirtin!

*
Naimi gjenial para pothuaj se njëqindvjetësh, kur kudo flitej shqipe e përzjerë me turqizma, e shkroi poezinë të pastër shqip. Naimi ishte i pari që shkroi shqipe të kulluar, që e spastroi nga fjalët turqisht, në një kohë kur vetë, ndoshta gjithë ditën, fliste vetëm turqisht. Nuk ka përdorur as fjalën nur që e kam përdorur unë. Ai ka thënë hir në vënd të nur, me gjithëse nur është fjalë shumë e bukur.

*
Nga muzika jonë popullore më e mirë është ajo e sazexhinjve të Korçës. Ajo ka orkestracion.


Zgjodhi dhe përgatiti:
Ilia V. Ballauri.


 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Poezia : Safo - Jo vajza e fshatit nuk ka fort magji!

 Jo vajza e fshatit nuk ka fort magji,Të fitojë zemrën nuk ësht’ lozonjare,Veshur fshatçe, as të sillet nuk di,S’di si thithen vështrimet tinzare.

» BK/LA - Poezi - Sofokliu, Arkilolu, Anakreonti

Poezi - pjesë nga Sofokliu, Akriloku dhe Anakreonti, zgjodhi dhe i shqipëroi, Ilia V. Ballauri, Sofokliu, Antigoni vrg.780-800.Eros që kurrë nuk mundesh,që kurr nuk qetsohesh,Ti që shigjeta derdh rebesh,dhe shigjetë s’të shkon huq,ndez, vë zjarr, bën faqet prush të kuq,

» MZ - Poezia - Homeri: Iliada, Rapsd. II-të, (vargj.orgj., 278 - 332)

Për një çast, gjatë luftës së gjatë dhe të lodhshme të Trojës, turma e Akejve e grumbulluar, para mureve të pamposhtur të qytetit, në një gjëndje dëshpërimi dhe të pashpresë, kërkonte të kthehej në atdhe, duke hequr kështu dorë njëherë e mirë, prej qëllimit të dyfishtë, d.m.th. prej rimarrjes së Elenës së bukur...

» Histori - Të gjitha zhduken... në humnerën e harresës

 Marcus Aurelius“ … Dije se edhe një sërë fjalësh që dikur ishin tepër të përdorura, që njerëzit i flisnin përditë, sot shohim që janë vjetëruar dhe përdoren gjithmonë e më pak, madje do të vijë një kohë dhe ato do të zhdukem. E njëjta gjë ndodh edhe me emrat e njërëzve të dëgjuar që ishin dikur, emrat e burrave...

» BK/LA - Poezia - Vargje platonike dashurie, të recituara dhe të shoqëruara me muzikë.

                                                  Platoni, filozofi і madh, jetoi në kapërxim të dy shekujve, V-të dhe të IV-të para Kr. Lindi dhe vdiq në Athinë (428-347). Që në vogëli ai mori një edukim...

Share