MZ - Aforizmë: Meneandri

Në një kompleks koral të një pjese teatrale, nuk këndojnë që të gjithë, por dy a tre.
Të tjerët, të përzierë atje, qëndrojnë të ngulur në kor vetëm për numër.
Në jetë pra, rrojnë vetëm të gjallët e vërtetë.

 

Meneandri,
sipas Stobeut, tek Antologjia, 121, 11
Shek. IV para Kr.

(Hulumtuesit e jetës së tij, ndër të tjera shkruajnë edhe këto.)
… Thoma Nasi apo Nashi, siç e njohin bashkëfshatarët mbiemrin e tij, lindi në fshatin Dardhë të Korçës më 2 mars 1892. Në moshën dymbëdhjetë vjeçare si shumë të rinj të tjerë të krahinës së tij, Nasi emigroi fillimisht në Greqi dhe më vonë në Shtetet e Bashkuara. Në moshën 26 vjeçare kreu konservatorin e New England-it në Boston për kompozim dhe drejtues orkestre dhe punoi si flautist jo definitiv me orkestrën simfonike të Bostonit. … (Eno Koço, Kënga Karakteristike Korçare)
… Një kapitull më vete në jetëshkrimin e Thoma Nashit përbën formimi dhe dirigjimi i Bandës kombëtare “Vatra”, që nga 11 dhjetori i vitit 1916 dhe deri në vitin 1925…  Ai dirigjoi orkestra të ndryshme frymore, dha koncerte, konkuroi në festivale dhe për shumë vite u muar me punë si mësues muzike duke punuar në qytete të ndryshme të Amerikës. (Kristaq Ll. Jorgji, Tempulli, nr 1.)
…Thoma Nasi mbërriti në Shqipëri nga Amerika, tok me 120 vullnetarët e lirisë dhe bandën e tij muzikore më 1920. Ai qëndroi dhe punoi në Korçë deri më 1925, më pas ai u transferua në Tiranë ku themeloi Bandën Presidenciale Shqiptare. Në kryeqytet ai qëndroi vetëm një vit për tu larguar përfundimisht në Amerikë më 1926. Kontributi i tij për jetën muzikore të Korçës është i pashoq. … (Eno Koço, Kënga Karakteristike Korçare)
… Profesor Nasi me shpirtin e vet plot dashuri për muzikën dhe shumë vullnet, nxiti dhe ndihmoi në formimin e koreve, të mandolinatave, si dhe në formimin e një orkestre të përsosur. … (Vasil A. Ballauri, Një Dritare në Histrorinë e Muzikës së Korçës, 1800 – 1940)

… Banda, do të tregonte profesor Thoma Nasi, filloi të japë koncerte të hapura dy herë në javë te Kopshti i Themistokli Gërmënjit. Programet tona përmbanin muzikë klasike. Një program tipik përmbante zakonisht një uverturë, një kohë simfonie, copa operistike (zakonisht Wagner), vals të Shtrausit si dhe aranzhime këngësh shqipe, për tu kënduar nga masa e njerëzve. Me mijëra banorë të Korçës i ndiqnin këto koncerte “familjare” të veshur me dollomatë e tyre të mbrëmjes. Ata e pëlqenin sinqerisht muzikën tonë dhe duartrokitjet e tyre ishin të stuhishme! … (Zhuliana G. Jorganxhi, Gaqo Jorganxhi dhe Grupi “Lira”)
… Në këtë kohë [1925] u largua dhe profesor Thoma Nasi, i cili pa dyshim ishte shpirti i kësaj lëvizjeje artistike. Largimi i preofesor Thoma Nasit nga Korça u pasua me një rënie të muzikës në qytet, … (Vasil A. Ballauri, Një Dritare në Histrorinë e Muzikës së Korçës, 1800 – 1940)
… Duke mos gjetur kushte të përshtatshme, pa asnjë ndihmë për punën e tij dhe vështirësitë dhe pengesat e panumërta, që i nxirrnin pushtetarët në Tiranë, Thoma Nashi më 1926 largohet përgjithmonë nga atdheu i tij, të cilin e deshte aq shumë. Kthehet në Amerikë dhe punon si pedagog në konservator, derisa vdiq në Boston më 1964, … (Nedai Thëllimi, Artistët korçarë në shekuj)


Drita e Hënës

Përkthim i lirë prej Th. N.
Melody sipas,  Au Clair de la Lune, e Jean Baptiste Lully (1632 – 1687)
(Nxjerrë nga, Këngëtore, Bot. Dhori Kotti, 1923)

Hënë faqe plotë,
Sonte ndrit mi qiell,
Dritë fantastike
Mi dëborën sjell,
Gjithësia veshur
Rroba si argjënt,
Hëna faqe plotë,
Zbukuron çdo vënt.
Degët plot me dborë
Varen gjer më dhe
Hoxhakët tymosin
Qeni vetëm leh,
Dhe fytyra jote
Gjith botën sheh
Hënë faqe plotë
Sa e bukur je!

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Fernando Pessoa: Nga bota e ndjenjave të tij.

 Fernando António Nogueira de Seabra Pessoa, ose shkurt, Fernando Pessoa (1888 - 1935) konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të për gjithë botën, dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj portugezë për të gjitha kohërat. Ai ish një poet, një kritik, përkthyes, mendimtar, eseist, tepër elegant, i...

» MZ - Aforizmë: Lasgush Poradeci

Gjer më sot shumë veta kanë shkruar kundra meje, por asnjë-herë s’jam përgjigjur. Se poeti s’përgjigjet, poeti bën veprën, vepra le të përgjigjet. Po të mos flasë ajo, poeti s’ka ç’të thotë.Nxjerrë nga: "Lasgushi më ka thënë, ..."P. Kolevica

» BK/LA-Hist. letrave shqipe:P.Kolvc., "Lasgushi më ka thënë" (pj.2 Shkrimtari dhe teknika e shkrimit)

(Vazhdon: shih dhe pjesën 1-rë e cila flet për mendimet e L. Poradecit për kulturën botërore)Ja tani dhe disa mendime të Lasgushit, për shkrimtarin dhe teknikat e shkrimit, të kapura dhe të shënuara duket me plot mprehtësi, prej P. Kolevicës gjatë orëve që të dy kalonin bashkë duke diskutuar për letrat.*Vetëm sakrifica,...

» BK/LA - Hist. e letrave shqipe: Petraq Kolevica, "Lasgushi më ka thënë, ..." (1.Kultura botërore)

Një ndër librat e veçantë të Petraq Kolevicës, i cili një pjesë të mirë të tyre, m'i ka dhënë me autograf, është dhe, “Lasgushi më ka thënë … (Shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin)”,  v. 1992. Për P. Kolevicën nga Korça, ndonëse jemi breza të ndryshëm, ai më i vjetër dhe unë më i ri, ruaj një vlerësim...

» MZ- Vargje te lashta kineze: "Duke recituar maleve si i marrë." Bai Ju, shek. 8-të.

 Bai Ju Yi ose Po Chu-yi, (v. 772-846), ishte burrë shteti dhe poet kinez, i “periudhës së artë” Tang, anëtar i Akademisë Hanlin. Shkrojti rreth 2800 poezi lirike por edhe erotike, të cilat i kopjonte dhe i shpërndante gjithandej vetë me qëllim që të mbeteshin të gjalla në kohë. Thuhet se ai i mbante mënd gjithë poezitë e...

Share