MZ - Thomas Hobbes (1588 - 1679)

Kur s'ka art dhe s'ka letra, nuk ka as edhe shoqëri të qytetëruar dhe ç'ka është edhe më e keqe se gjithçka, është se, në një shoqëri të tillë, ka vetëm frikë të vazhdueshme dhe rrezik për vdekje të tmerrshme, për më tepër, jeta e njeriut në atë rast, është e vetmuar, e varfër, e shëmtuar dhe e shkurtër.

 

Sergej_Esenin Përveç disa fotografive, nga të paktat kujtime të nënës që më kanë mbetur, janë disa shënime llogarie të shkrojtura duket rastësisht, pas përmbajtjes së lëndës, në fund, tek libri i Sergej Eseninit, Lirika, botuar në vitin 1961. Nuk e di por, ndonëse qysh në fëmijëri librat i kam dashur, i kam mbajtur pastër, nuk i kam përthyer, madje edhe sot ndoshta mund të jem ndër të vetmit që një libër të porsablerë e mbështjell, ky libër i Eseninit, ku në të janë edhe këto shënime të nënës, më sjell një ngazëllim të veçantë.

 

Besoj se kur nëna i shkruajti ato shënime llogarie në fund të atij libri, ka qënë një çast kur ajo duhet të ketë patur nevojë për diçka ku të shkruajë dhe në ngutje e sipër, e pat gjetur atë për kollaj dhe kështu bëri në të llogaritë e veta, të shpenzimeve familjare të atyre ditëve tepër të largëta, kur unë isha i ri dhe ndiqja ende gjimanzin. Ja pra një rast kur, shpërdorimi i librit ndodh që të jetë tepër i dashur.
Unë e kam të qartë pse ai libër i Eseninit u gjend për kollaj.


Ishte një periudhë kur ky poet tek ne lexohej shumë prej të gjithëve, veçanërisht prej studentëve dhe gjimnazistëve, madje në shtëpinë tonë këtë libër e gjeje gjithmonë mbi tryezë, në dritare, pranë radios, kudo. E lexonim, e lexonim, e rilexonim dhe nuk i ngopeshim dot, “këngëtarit çapkën me zë kumbonjës të Rusisë”, të ruskave të bukura, të Tanushës, të bjeroskave, të dëborës, të netëve hënore, të perëndimit ngjyrë alle që fshin gishtat në pëlhurën mavi, të karrocës dhe sajës me zilka, etj, etj. Nënës time i pëlqente jashtëzakonisht poezia, “Letër Nënës” të cilën ja lexoja madje edhe ja recitoja gjithë pasion, “Gjallë je ti moj nënoçka ime, gjallë jam dhe unë të përshëndes,”…, ajo e dëgjonte gjithë qejf dhe një pjesë të vargjeve që i pat fiksuar, i recitonim pastaj edhe të dy ...
Esenini ka qënë dhe është i dashur, veçanërisht për brezin që rininë e kaloi në vitet ’60, 70’, mbasi ai hyri tek ne prej studentëve që u kthyen në atë kohë nga Bashkimi Sovjetik, të cilët e sollën atë, të freskët së bashku me freskinë e tyre, e sollën të gjallë, të bukur ashtu siç ish, prej Rusie. Libri, Lirikat e Eseninit, është përkthyer prej penave më të mira, të përkthimit që kish në atë kohë vendi tonë për gjuhën ruse dhe një prej tyre, me përkthime tepër të ëmbla, në këtë vëllimth, ishte edhe Vangjush Ziko, mësuesi im i letërsisë.
Në Korçë Esenini është  kënduar me kitarë, serenatave të dikurshme, nëpër rrugë, në mbledhka, me gotat përpara dhe gjithë pasion, nga lloj - lloj zërash, të të rinjve të asaj kohe, djemve dhe vajzave, gjimanzistëve, studentëve, prej të gjithëve.

Kush nuk i di këto vargje?


Ç’mi përdredh ti buzët nazemadhe – moj?
Kam një vajzë tjetër, ty s’të dashuroj.

Ti e di se jemi larg, mjaft larg të dy …
Mos u tremb … S’të pashë … s’vij këndej për ty.
Të shkoj pranë … por zëmra asnjë tel s’më lot,
Vetëm nga dritarja syt’ t’i hodha kot...


E pra këto vragje janë të Eseninit me përkthim të Agim Shehut.

Të tjera vargje të Eseninit të kënduara në Korçë me kitarë janë edhe këto si:
 Mbrëmje të kaltra, mbrëmje hënore!/ Ç’isha i bukur në moshën rinore.”, etj, ose
 “Ej, këndo karrocier kësaj nate,/ A t’ja them un’ një kënge t’ja zë/ Për dy sy të një vajze dinake,/ Për gazmoren rini që më le.”, etj.

 
Çudi!

Esenini kish magjinë që nuk mund të kapej dot prej diktaturës. Duket se i përngjante atij shpirti të etertë, që gjendej kudo, ishte i rrjedhshëm, i depërtueshëm ndaj çdo hermeticiteti.

Ilia V. Ballauri 
 

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Vargje poetike: Për kopshtet.

 … Dhe kështu, foshnja-Jezu qëndroi,në gjunjë të nënës së dashur Mari,çdo lule ngriti kokën, Zotin vështroi,çdo yll, uli sytë dhe pa në tokë, Perëndinë-Njeri …G. K. Chesterton(1874-1936)*“Pemët filluan të pëshpërisnin, ndërsa era filloi të pështjellohet,dhe atë mëngjes të egër të marsit, dëgjova, sesi shpirti...

» BK/N - Biologji - Poezi : Vargje kushtuar një fare.

Fara! Ky pra ish qëllimi i gjethes, për të rrënja punoi,Ky pra ish qëllimi i lulëzimit, për të lulja flërtoi,Kjo farëzë pra, është fruti i fundmë, jeta vetë,Kjo bucelëzë e çuditshme e forcës, enigmë përjetë!Për të rrënja thithi, për të burbuqi çeli dlirë,Botë, brenda botës, brenda botës, përfshirë.Kjo pra është...

» MZ - Poezia: Molusku i shtëpise sime.

 Pasi prej magmës, brëndësisë më të parë, qindra miliona vjet më parë, shkëmbinjtë e murrmë, ultrabazikë, shpërthyen në sipërfaqe për të dalë, për të krijuar male, si mali që qyteti ynë mban mbi krahë, këtu, rrëzë sipërfaqeve të tyre, “lëkurë elefanti”, siç i cilëson, nobelisti poet, pati det.Jeta që brenda...

» BK/LA - Poezi e recituar dhe e shoqëruar me muzikë - Theognis - Lirikë - Erotike

                                   Theognis, konsiderohet si një ndër poetët më të rëndësishëm të poezisë elegjike të Greqisë së lashtë. Ai ishte fisnik nga Megara dhe mendohet se ka jetuar në mes të shek. VI-të para Kr. Me emrin e Theognis...

» KE7/23 - Hitoria e letrave shqipe - Ambrosio Pamperi

(Studim mbi jetën dhe veprën e tij.Përgatiti: Ilia V. Ballauri)Ambrosio Pamperi si dhe Dhimitër Prokopi Pamperi, janë dy eruditë të ndritur prej Voskopoje të shek. 18-të, që rrjedhin me sa duket prej të njëjtit fis.Duke ju referuar punimit, Moschopolis, Athinë 1975 fq. 67, të Th. Gjeorgjiadhit lexojmë: Në Voskopojë ekziston akoma...

Share