Aforizma të eruditëve grekë dhe romakë: Për bukurinë.

 


Bukuria është dhuratë e Zotit.
Aristoteli
*
Bukuria individuale i hap rrugën njeriut, më tepër sesa një rekomandim.
Aristoteli
*
Sigurisht që bukuria është një dhuratë e mirë e Zotit, por duket se vetë Zoti mendoi se kjo, bukuria pra, nuk është ndonjë e mirë e madhe, përderisa ai e dha atë edhe tek njerëz të liq.
Shën Agustini
*
Në çastin që një vajzë fillon e nuk ka më ndrojtje dhe nuk skuqet më, atëhere ajo ka humbur pjesën më tërheqëse dhe më fuqiplotë të bukurisë së vet.
Grigori i 1-rë, shek 6-të
*
Të lutem o Zot, më bëj të bukur përbrenda.
Sokrati
*
Bukuria e stilit, e harmonisë, e hijeshisë dhe e një ritmi të mirë, varen nga thjeshtësia.
Platoni
*
Njësoj si mund të gabojë një mëndje kur ajo gjykon nën veprimin e pijes së verës, ose një sy, kur ai sheh në errësirë, ashtu mund të gabojë edhe një shpirt, kur ai është i dehur prej një bukurie.
Ovidi
*
Njoh dikë që kur pa një grua me një bukuri goditse, ju lut Krijuesit për të. Duket pra se pamja e saj e ndriçoi atë burrë, që t'i drejtohej Zotit me përdëllim.
Shën Joan Klimakus, shek. 7-të
*
Ç'ka është e bukur është e mirë dhe, kush është i mirë, shpejt do të konsiderohet edhe si i bukur.
Safo
*
Asgjë e bukur nuk është e bukur, po qe se shikohet nga të gjitha këndvështrimet.
Horaci
*
Kur në mesnatë kandili shuhet,
të gjitha gratë, kanë një bukuri që s’thuhet.
Plutarku





 


Bai Ju Yi ose Po Chu-yi, (v. 772-846), ishte burrë shteti dhe poet kinez, i “periudhës së artë” Tang, anëtar i Akademisë Hanlin. Shkrojti rreth 2800 poezi lirike por edhe erotike, të cilat i kopjonte dhe i shpërndante gjithandej vetë me qëllim që të mbeteshin të gjalla në kohë. Thuhet se ai i mbante mënd gjithë poezitë e veta dhe se ish në gjëndje të vazhdonte çdonjërën prej tyre aty ku të tjerët e harronin. Në kohën kur ai jetoi, filloi të parandjejë shënja të një farë rënie të periudhës së artë të poezisë dhe jetës kineze, dhe Bay Ju Yi, i shprente këto parandjenja profetike, të realitetit të jetës së përditshme, nëpërmjet mesazheve morale. Në këtë pikë sipas punimit “Krijimi poetik gjatë periudhës Tang”, nxjerrë nga: “The Tang Poets” Frederick Turner,  ai mund të krahasohet me novelistët e mëdhenj romantikë si Balzaku, Tolstoi dhe Dikensi ose me piktorë si Millet dhe Van Gogh, apo me dramatistë si Bertold Brehti, etj.
Bay Ju Yi, u mpleks në skandalet perandorake të asaj periudhe dhe për një kohë u internua. Vargjet e mëposhtme të titulluara “Duke recituar maleve si i marrë”, janë shkruajtur në internim.
Ndërkaq tek vëllimi me poezi të shqipërurara, me titull: “Vargje të lashta liriko - erotike”, 211 faqe dhe figura, shqipr: Ilia V. Ballauri, bot. UEGEN Tiranë, 2010, kam sjellë edhe tre poezi të tjera të famshme të tij, “Ti je!”, “Pasqyra” dhe “Pleqëria”.
Shqipërimi im i mëposhtëm, është bazuar tek varianti i njohur klasik në anglisht, përkthyer prej gjuhës kineze nga orientalisti i dëgjuar, Arthur Waley.


Duke recituar maleve si i marrë.

S’ka njeri që të mos ketë një dobësi,
dhe, dobësia ime është të shkruaj poezi.
Me mijërat e fijeve, me të cilat lidhet jeta, prapushitet,
marrëdhëniet i kam prerë dhe vetëm një gjë nuk më zvërdhitet,
vetëm me një dobësi mbetem i lidhur, në pafundësi,
të shkruaj rreshta, vargje, mendime, poezi.

Sa herë që shoh një pamje të bukur në natyrë,
sa herë që takoj një mik të dashur, një të njohur fytyrë,
e ngre zërin, një strofë poezi i them, i recitoj,
i ngazëllyer sikur Zotin, rrugës po takoj.

Dhe tani qysh prej kohës që në Hsung-yang, jam internuar,
gjysmën e kohës, e kam kaluar,
korrijeve, kodrave duke shëtitur, duke menduar,
vargje duke thurur, duke belbëzuar.

Dhe shpesh, kur ndonjë poezi, së fundi e mbaroj,
marr rrugën pastaj, ngjitem për tek shkëmbi i Lindjes shkoj,
dhe atje, i mbështetur në anë të shkëmbit të bardhë,
pasi kap një degë të gjelbër të kasies, kësaj peme të rrallë,
vargjet e mia të çmëndura, kodrat, luginat, habitin, pushtojnë,
zogjtë cicërojnë dhe majmunët më imitojnë.

I trembur pra, se mos prej botës përqeshem, vihem në lojë,
kam zgjedhur kështu,
një vënd për recitimet time që shpirtin ma gëzojnë,
një vënd, ku askush zë njeriu, nuk mundet të dëgjojë,
një vënd, ku askush nuk mundet të më shqetësojë.

Shqipëroi: Ilia V. Ballauri


 
 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Poezia: K. Kavafi, "Qirinjtë"

Konstandin Kavafi, lindi dhe vdiq në të njëjtin qytet, në Aleksandri të Egjiptit (1863 – 1933). Lindi dhe vdiq në të njëjtën ditë më 29 prill. Ishte fëmija i nëntë i Petro Kavafit, tregëtarit të madh të pambukut, në Egjipt i cili origjinonte në thellësi prej një familjeje të vjetër greke bizantine nga Kostandinopoja....

» BK/LA - Poezi - Sofokliu, Arkilolu, Anakreonti

Poezi - pjesë nga Sofokliu, Akriloku dhe Anakreonti, zgjodhi dhe i shqipëroi, Ilia V. Ballauri, Sofokliu, Antigoni vrg.780-800.Eros që kurrë nuk mundesh,që kurr nuk qetsohesh,Ti që shigjeta derdh rebesh,dhe shigjetë s’të shkon huq,ndez, vë zjarr, bën faqet prush të kuq,

» BK/N - Biologji - Poezi : Vargje kushtuar një fare.

Fara! Ky pra ish qëllimi i gjethes, për të rrënja punoi,Ky pra ish qëllimi i lulëzimit, për të lulja flërtoi,Kjo farëzë pra, është fruti i fundmë, jeta vetë,Kjo bucelëzë e çuditshme e forcës, enigmë përjetë!Për të rrënja thithi, për të burbuqi çeli dlirë,Botë, brenda botës, brenda botës, përfshirë.Kjo pra është...

» MZ: Homeri, mbi teorinë e marrjes së vendimeve - Skilla & Haribdi

Homeri mbi teorinë e marrjes së vendimeve, ose mbi zgjedhjen që duhet bërë ndërmjet dy të këqiave: Skillës dhe Haribdit.Gjithmonë ka qënë i vështirë për tu marrë vendimi se ç’duhet zgjedhur  ndërmjet dy të këqiave, prej të cilave, njëra e keqe ka një dëm relativisht të madh por të njohur (Skilla) ndërsa tjetra...

» MZ - Poezia: Johann Wolfgang Goethe

 Një lule që bie, e njofton kopshtarin se tashmë, ajo ka lidhur frut.  - J.W. GëteAh! - Sikur më ka marrë trajtë më të mbushur, më të zbukuruar, gusha, -më tha një ditë e dashura ime, e befasuar, teksa e putha.- Vogëlushe, e mira ime! – i thashë duke i kujtuar,dora e Venusit të ka lulëzuar,duke të njoftuar,se ah!Trupi yt i...

Share