MZ - Aforizma: Johann Wolfgang von Goethe

 

Njeriu çdo ditë duhet të dëgjojë pak muzikë, të lexojë pak poezi, të shohë një pikturë të bukur,  në mënyrë që rutina e përditëshme, mos bëjë që të lihet në harresë, ndjenja për të bukurën, ndjenjë kjo të cilën Zoti e ka mbrujtur në shpirtin e njeriut.

*
Njësoj si në Romën e lashtë, ku në qytet, përveç romakëve kish edhe një mori bustesh dhe statujash mes të cilave rronin njerëz, ashtu edhe sot, përveç realitetit, ekziston edhe një botë e fortë me fantazi dhe imagjinata, ku edhe në të jetojnë njerëz.

*
Thonë: Njih vetveten! Po si mund dikush të njohë vetveten? Kjo gjë nuk mund të bëhet, nëpërmjet survejimit të vetes, por vetëm nëpërmjet praktikës dhe ja sesi: përpiqu të kryesh detyrën që të takon dhe do të shohësh, se ke për të kuptuar menjëherë, karakterin tënd. 


*
Çdo moshe të njeriut, mund  t'i vihet në korrespondencë një filozofi e caktuar.
Fëmija paraqitet realist. Ai është aq i bindur për ekzistencën e dardhës dhe të mollës sa edhe për ekzistencën e vet.
I riu, i përfshirë siç është në furtunat e veta të brëndëshme është i detyruar që ta kthejë vëmendjen, të rrëmojë dhe të kërkojë brenda vetes, pra të bëhet idealist.
Një burrë i pjekur, ka një sërë arsyesh që të jetë skeptik. Ai dyshon sipas mënyrës së vet, nëse janë të sakta mjetet që ai ka zgjedhur për të kryer një veprim. Gjithashtu përpara se të veprojë dhe në çastin që vepron, e ka të nevojshme që të jetë vigjilent, me qëllim që në të ardhmen, mos pendohet hidhshëm për zgjedhje të gabuar.
I moshuari, ndërkaq është mistik. Mjaft gjëra i shikon të varen prej fatit, një diçka që s'ka logjikë të ecë dhe, logjiken të pengohet e të shkojë shtrembër, fati dhe pafatësia pra, të ndërrojnë vënd papritur dhe papandehur.

Zgjodhi dhe perkth: I.V.B.

manat_drenoves

Manat e zeza (Lat. Morus nigra) janë veçanërisht shumë të përhapura në dy fshatra Drenovë dhe Boboshticë. Nuk ka vënd tjetër në Shqipëri që të jetë aq i lidhur me manin e zi, sa janë banorët e Drenovës dhe të Boboshticës dhe kjo është një gjë interesante. Pse, si, qysh dhe kur, ky lloj mani është aq i dashur për këto fshatra është një enigmë. Për këtë gjë, nuk ka patur asnjëherë një studim shpjegues, shkencor, të thellë dhe bindës, por vetëm supozohet.

Sidoqoftë, nga ana botanike mani i zi është një specie që origjinon nga Azia perëndimore, Kaukazi, Armenia, Irani, etj, dhe në Evropë është introduktuar dhe kultivuar fillimisht në Mesdhe, qysh në kohët antike. Mani i zi është një bimë dhekaheksaploide me një numër shumë të madh të kromosomeve (2n = 308), ëshë bimë monoike, vetë fekonduese, lulëzon në pranverë dhe krijon fruta deri 25mm. Mani i zi arrin lartësinë deri 20m dhe sipas literaturës rron deri 200 vjet por, disa burime thonë se rron deri 500 vjet.

Në Drenovë dhe Boboshticë, këto shifra duket se nuk qëndrojnë mbasi manat aty, duken se janë shumë, shumë të vjetra ndofta qysh para sundimit turk. Sidoqoftë, kjo gjë do studime. Një burim i vitit 1888 që përshkruan manat e Drenovës dhe të Boboshticës i konsideron ato që atëhere si: “…mana të vjetra me fruta të kuqe në ngjyrë mellani, prej nga banorët prodhojnë një pije alkolike (raki) me vlerë…”

Manat e Drenovës dhe Boboshticës kanë qënë shumë të dashura edhe për piktorin Vangjush Mio i cili, peisazhin e tyre e ka hedhur në telaro disa herë.

Mani i zi, me ngjyrën e vet të kuqe gjak të frutit, përmëndet edhe në mithet e botës së lashtë, madje në një idil dashurie shumë të bukur.

Kështu, sipas një mithi të Babilonisë, të treguar prej Ovidit, mith ky që më pas frymëzoi edhe Shekspirin për Romeo dhe Zhulietën, e që gjendet edhe tek Purgatori i Dantes, dikur dashuroheshin fort dy të rinj, Pirami dhe Tisbea, të cilët pengoheshin prej familjeve të tyre në armiqësi, që të takoheshin. Të rinjtë, të përfshirë prej dashurisë së zjarrtë e shprehnin këtë plot pasion e lotë, fshehurazi, rrëzë një muri të lartë, nëpër të çarat e tij, mur ky që u ndante shtëpitë, diku në Babiloninë e vjetër. Vuanin pra, pa parë njëri tjetrin, njëri në një anë të murit dhe tjetri anë anën tjetër. Së fundi, në një çast, ata vendosin të ikin larg. Takimi u la rrëzë një mani. E para arriti këtu Tisbea që u ndodh aty papritur, përpara një luaneshe me gojën plot gjak, prej gjahut të freskët. Duke vrapuar larg për të shpëtuar asaj i bie tyli, të cilin e merr dhe e gjakos me gojën e vet luanesha. Pas pak bisha e lëshon tylin dhe pasi pi ujë në një burim aty afër, largohet. Tisbe shpëtoi. Nërkohë këtu arrin Pirami. Ky kur sheh tylin me gjak mendoi për keq dhe vrau veten me shpatë. Duke rënë rrëzë manit ai leu edhe pemën me gjak e cila dalngadalë ndërroi ngjyrën e frutit në ngjyrë gjaku. Tisbea me tu rikthyer tek mani, sheh aty të vrarë Piramin dhe pas vajtimesh të dhimbshme, vetëvritet edhe ajo, me të njëjtën shpatë. Edhe gjaku i saj u përthith prej pemës.

Qysh atëhere në limfën e manit të zi rrjedh gjaku i të dashuruarve. Është kjo arsyeja, thotë mithi, që mani i zi bën gjithmonë fruta me lëng ngjyrë gjaku. Mani i zi pra, nderon dashurinë e zjarrtë që nuk mundi dot të realizohej. 


 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» BK/LA - Piktura - Vjeshtë në Drenovë, Vangjush Mio.

Peizazhi që paraqitet në krah, i Vangjush Mios, është punuar më 1934 dhe titullohet, Vjeshtë në Drenovë. Në vitin 1956 kësaj vepre ju dha çmimi i Republikës.Në të paraqiten, me gjithë koloritetet e veta, manat e Drenovës në vjeshtë, qielli i anëve tona, një tufë shqerrash tek kullosin, baresha e vogël, gardhi i fshatit, me...

» KE9/3 - Fasulja, groshi dhe koçkulla dikur, në zonën e Korçës.

 Fasulja (Phasoelis vulgaris)Korça konsiderohet si ndër zonat që ka pas prodhuar fasule të mira, të shijshme dhe të shumëllojshme. Populacionet e fasules së trevës tonë kanë qënë të shumta, madje edhe sot, një sy i hedhur në tregun fshatar, tregon për vazhdimësinë e shumëllojshmërisë së populacioneve tona për këtë...

» BK/LA - Piktura - Malet e Moravës, V. Mio

Vangjush Tushi, për Vangjush Mion, viti 1960.Vangjush Mioja punoi për gjithë jetën duke ndjekur vokacionin e vet (frymëzimin e brëndshëm). Ai kishte bindjen se duke qëndruar përpara natyrës, artisti i vërtetë e përshkruan atë me ndjenjat e tij. Nëpërmjet punës gjen rrugën e vet. Prandaj dhe mësuesi më i mirë për të ka qënë...

» KE3/5 - Fjalor tipik korçar për një sërë produktesh ushqimore

Kërnacka = lloj qoftesh të stërgjatura të përgatitura me mish të grirë dhe të pjekura në skarë. Haeshin kryesisht si fast food, të ngrohta duke u shoqëruar edhe me qepë, kripë dhe rigon. Sheqerka = karameleStapka = lloj karamelesh të gjata të holla me madhësi afërsisht sa të lapsit, me shumë ngjyra që konsumoheshin kryesisht...

» KE7/11- 12 - Mali i Thatë dhe vargjet e Lasgush Poradecit, "Fryn veriu ..."

Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë. Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a prrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit. Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit...

Share