Aforizma të eruditëve grekë dhe romakë: Për bukurinë.

 


Bukuria është dhuratë e Zotit.
Aristoteli
*
Bukuria individuale i hap rrugën njeriut, më tepër sesa një rekomandim.
Aristoteli
*
Sigurisht që bukuria është një dhuratë e mirë e Zotit, por duket se vetë Zoti mendoi se kjo, bukuria pra, nuk është ndonjë e mirë e madhe, përderisa ai e dha atë edhe tek njerëz të liq.
Shën Agustini
*
Në çastin që një vajzë fillon e nuk ka më ndrojtje dhe nuk skuqet më, atëhere ajo ka humbur pjesën më tërheqëse dhe më fuqiplotë të bukurisë së vet.
Grigori i 1-rë, shek 6-të
*
Të lutem o Zot, më bëj të bukur përbrenda.
Sokrati
*
Bukuria e stilit, e harmonisë, e hijeshisë dhe e një ritmi të mirë, varen nga thjeshtësia.
Platoni
*
Njësoj si mund të gabojë një mëndje kur ajo gjykon nën veprimin e pijes së verës, ose një sy, kur ai sheh në errësirë, ashtu mund të gabojë edhe një shpirt, kur ai është i dehur prej një bukurie.
Ovidi
*
Njoh dikë që kur pa një grua me një bukuri goditse, ju lut Krijuesit për të. Duket pra se pamja e saj e ndriçoi atë burrë, që t'i drejtohej Zotit me përdëllim.
Shën Joan Klimakus, shek. 7-të
*
Ç'ka është e bukur është e mirë dhe, kush është i mirë, shpejt do të konsiderohet edhe si i bukur.
Safo
*
Asgjë e bukur nuk është e bukur, po qe se shikohet nga të gjitha këndvështrimet.
Horaci
*
Kur në mesnatë kandili shuhet,
të gjitha gratë, kanë një bukuri që s’thuhet.
Plutarku





 

Në përgjithësi, gjithmonë fëmijët kanë dashur të hanë, disa herë më tepër se zakonisht, gjatë ditës. Përveç nevojës biologjike, të ngrënit për ta, shpesh bëhet edhe një lloj kënaqësie, apo argëtimi, apo psikozë më vete. Gjithmonë fëmijët me vënd e pa vënd, me kohë e pa kohë, kanë kërkuar të hanë. Kjo kërkesë e tyre sot të paktën për vëndin tonë, është relativisht e lehtë për tu plotësuar. Me vënd e pa vënd sot, ata duan një hamburger, një tost, një kruasan, chips, popcorn, banane, një krepes, një sanduiç, një, një, ….
Të gjitha këto, për një fëmijë përpara 50 vjetëve, ishin krejt të panjohura, ndaj dhe një gjysh, sot, gjithë terminologjinë e mësipërme, e ka të vështirë, si për ta kuptuar ashtu dhe për ta përdorur.
Dikur të ngrënët e fëmijëve me vënd e pa vënd, me kohë e pa kohë,  shprehej me thënien: “dua bukë në dorë“. Fëmija prej lojës jashtë në rrugë, kur i haej, hynte brenda në shtëpi dhe kërkonte:“dua bukë“. Menuja e “bukës në dorë“, në ato kohë, nuk kish shumë larmi. Nëna pasi i priste një fetë prej pllakës së bukës e bënte atë, ose me sheqer e me vaj, ose me sheqer dhe me ujë, ose me vaj dhe me kripë, ose me sallo, ose me marmallatë ose rrallë herë me gjalpë, etj. Ndërkaq shpesh ndodhte që t‘i jepnin fëmijës edhe një copë bukë thatë, duke i thënë se kështu ishte më mirë mbasi, „të bëhen faqkat e kuqe“.
Pavarësisht, fëmija kur dilte në rrugë, me fetën e bukës në dorë, aty e prisnin shokët dhe ndërkaq, fillonte një ceremonial i vërtetë.
Së pari dëgjohej kërkesa: “Na jep të kafshojmë njëherë“. Dhe kështu në çast, feta e bukës me sheqer dhe me vaj fillonte dhe kalonte gojë më gojë, tek të gjithë shokët e mëhallës të mbledhur aty. Të gjithë kafshonin njëri pas tjetrit nga një kafshatë dhe buka, pasi kalonte dorë më dorë, në rrethin e fëmijëve kthehej në dorën e të zotit, më tepër se e përgjysmuar.
Ky proçes sot, për një psikolog do të ishte një lëndë e parë, për studime me vlerë, në drejtim të pedopsikologjisë dhe ja sepse.
Kish fëmijë që e jepnin me gjithë qejf, me gjithë zemër bukën e vet, tek të tjerët, për tu kafshuar, pa u kursyer, pa ndrojtje, pa u ardhur ndot, madje kish edhe nga ata, që të theshin „kafsho edhe një herë“. Kish ndërkaq të tjerë fëmijë që nuk e jepnin, ose të tjerë që e shënonin atë, se deri ku, ajo duhej kafshuar. Nga ana tjetër kish fëmijë që hapnin gojën shumë kur kafshonin dhe kish të tjerë, që bënin të kundërtën. Kish prindër që i porositnin fëmijët, që mos ua jepnin të tjerëve bukën që ta kafshonin (ndonse kishin, ishin pra në gjëndje)  dhe kish të tjerë që, kur vinin prej rruge, dy shokë në shtëpi, u jepnin që të dyve nga një copë bukë në dorë (ndonse nuk kishin), etj.
Së fundi, duhet thënë se, e njëjta shprehje, “Na jep të kafshojmë njëherë“, përdorej edhe për mollët, dardhat e freskëta etj, ndërsa për akulloret, stapkat prej sheqeri, këndeskat prej sheqeri, mollkat e lyera me sheqer, etj. përdorej shprehja, “Na jep të lëpijmë njëherë“.

dr. I.V.Ballauri

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE6/3 - Mbi jetimoren e Korçës

Një përshkrim i vitit 1923. (paraqitur këtu sipas arkaizmave të gjuhës së asaj kohe)“Kjo është një godinë ku rinë djem e vajza të pa-prindërshmë, të cilëvet, fati ose rrjedhja e ngjarjeve [të viteve] 1912 -1920 i ka lënë udhëvet. Këta fëmijë të mbledhur nga an’ e Bashkisë, janë vënë më një shtëpi në Famuli...

» BK/SHJT - Sociale - Psikologji - Histori: Humori në Korçë

 Qyteti ynë dikur ka patur humor të hollë, pavarësisht se dalngadalë, kohët e fundit, mundet që ai degjeneroi. Karakteristikë e humorit të Korçës ishte se, ai shpesh vinte në lojë jetën e gjithë shtresave të shoqërisë së qytetit, pa kursyer këtu askënd.Banorët dikur bënin një jetë më të afruar me njëri tjetrin dhe...

» KE6/17 - Mbi depon e dikurshme të gazit ose të vajgurit, në Korçë.

 Meqënëse vajguri dikur ishte një lëndë e konsumit të përditshëm, mbasi përdorej për ndriçim, kuptohet se edhe tregu duhej të furnizohej thuajse çdo ditë me këtë mall, i cili, ndryshe nga mallrat e tjera ishte njëkohësiht edhe i rrezikshëm, pra lëndë djegëse dhe plasëse. Për këtë arsye, dikur Korça pati një depo të...

» BK/SHJT - Pazari i dikurshëm i plaçkave në Korçë.

 “Pazari i plaçkave”Skicë.Ka qënë dikur, në vitet ’40, ’50, dhe ’60, një pazar tepër i veçantë në Korçë (që ndofta mund të ketë qënë edhe gjetkë) që thirrej a quhej, prej popullit ashtu thjesht, “Pazari i plaçkave” dhe që zhvillohej ditën e shtunë.Ky pazar që shtrohej rrugicave të pazarit të vjetër të...

» MZ - Aforizmë: Nektar Tërpo - Voskopojari

Vjedhës është edhe ai, që gjykon pa të drejtë, falë dhuratave që merr.

Share