MZ - Aforizma: Nga filozofia amerikane.




“…Nuk mund t’i jepni forcë të dobtit, duke dobësuar të fortin.

*
Nuk mund të ndihmoni punonjësin, duke shkatërruar punëdhënësin.

*
Nuk mund të përkrahni vëllazërimin mes njerëzve, duke inkurajuar luftën e klasave.

*
Nuk mund të ndihmoni të varfërin, duke shkatërruar të pasurin.

*
Nuk mund të përforconi karakterin dhe kurajon e njeriut duke dekurajuar inisiativën dhe pavarësinë e tij.

*
Nuk mund të ndihmoni dot njerëzit, duke bërë për ta, ato që ata mund dhe duhet, t’i bëjnë vetë…”

Një deklaratë e presidentit amerikan
Abraham Linkoln në
Kongresin Amerikan më 1860



kromosomet1 HYRJE

Nuk do të jetë e largët dita kur edhe flora e Zonës së Korçës për arësye dhe qëllime të ndryshme shkencore (siç veprohet kudo sot në vendet e zhvilluara) do të studiohet për nga ana citogjenetike, e kuptohet se një interes të veçantë në këtë drejtim do të kish së pari të dispononim një kalendar standart, të thjeshtë dhe praktik, të kolaudimit dhe studimit citogjenetik kësaj flore.

HARTIMI I KALENDARIT CITOGJENETIK

Duke mos u ndalur me hollësi në metodat laboratorike të vrojtimeve citogjenetike, të cilat gjenden në manualet përkatëse dhe sidomos në internet, po përmënd këtu shkurtimisht stadet e punës për vrojtimet në fjalë.
Prafiksimi i materialit: përmirëson morfologjinë e kromosomeve dhe realizohet duke përdorur solucione të holluara të kolkicinës, hidroksikinolinës, etj.
Fiksimi i materialit bimor: ka si qëllim të vrasë materialin bimor shpejt dhe në atë mënyrë që të rruajë si të gjalla strukturat e brëndëshme të qelizës, e veçanërisht kromosomet. Realizohet nëpërmjet solucioneve të acidt acetik, ose edhe formalinës.
Macerimi: procesi që realizon shpërbërjen e indeve dhe veçimin e qelizave për tu vrojtuar më lehtë në mikroskop. Realizohet nëpërmjet solucionit të acidit klorhidrik.
Ngjyrimi i kromosomeve: ka për qëllim krijimin e kontrasteve brenda organeleve të qelizës dhe realizohet nëpërmjet solucioneve të karminës, orceinës, hematoksilinës etj.
Pamvarësisht, nga metoda e vrojtimit që mund të kërkojë modifikime për bimë të veçanta dhe të cilat si e thamë më sipër gjenden nëpër manualet përkatëse, për çastin, më poshtë po japim një kalendar të mundshëm për vrojtimet citogjenetike të florës së Korçës.
Bimët e kalendarit në fjalë janë veçuar nga studimet floristike të bëra enkas më parë për Zonën e Korçës, ndërsa të dhënat citogjenetike të vrojtimeve mundëshme për sejcilën bimë i kam grumbulluar nga hulumtimet e mia nëpër studime të ndryshme të kryera në një sërë vendesh të tjera.Së fundi them se ky kalendar është një listë minimum dhe problemi nuk është i ezauruar. Në të, në të ardhmen mund të shtohen edhe bimë të tjera të zonës tonë.
Kështu, sipas muajve, më poshtë po paraqesim bimët që flora e Zonës së Korçës vë në dispozicion, disa karakteristika botanike të tyre dhe ç’mund të vrojtohet tek ato nga ana citogjenetike, sidhe ndonjë karakteristikë specifike që mund të haset gjatë vrojtimit.

JANAR

Helleborus (Lule taçja ose, Shpendra): Bimë barishtore shumëvjeçare, shumëzohet me farë dhe rizomë, ka lule njgyrë të bardhë, në të blertë ose dhe në rozë të lehtë, lulëzon në janar dhe shkurt (edhe në dëborë), rritet në luadhe, pyje e rrëza zakonisht të mbrojtura. Përdoret në mjekësinë popullore për sistemin tretës dhe atë nervor. Tek lule taçja mund të vrojtohet, mejoza, mitoza e polenit dhe mitoza somatike. Thekët janë të pasur me qeliza mëmë. Ndarja mitotike kryhet tepër e rregullt edhe në rastin e temperaturave të ulta. Zakonisht numuri i kromosomeve është, 2n=32.

SHKURT
Primula (Aguliçja): Bimë barishtore shumëvjeçare, me gjethe të vendosura në formë rozete, lulet ngjyrë të verdhë ose të kuqe trëndafil, lulëzon në shkurt, në vënde me lagështi, në ambjente pyjore dhe malore. Në mjekësinë popullore përdoret për organet e frymëmarjes.Tek aguliçja mund të vrojtohen mejoza dhe mitoza somatike. Tek, Primula vulgaris, (e rëndomtë) e cila nuk ka kërcell, numuri i kromosomeve është 2n=22.
Prunus amygdalus (Bajamja): Drufrutor, lulëzon në shkurt dhe në mars, me lule ngjyrë rozë, të kuqe trëndafili. Bajamja është bërthamorja e parë që lulëzon në zonën e Korçës. Tek bajamja, vrojtohen gjithashtu mejoza dhe mitoza, ndërsa numuri i kromosomeve, mund të jetë ose 2n=16, ose 2n=32.

MARS
Prunus, Pyrus, Malus (kumbullat, pjeshkët kajsitë, dardhat, mollët): Drufrutorë karakteristikë për zonën e Korçës, kanë egzistuar dhe mund të egzistojnë akoma edhe kultivarë autoktonë të hershëm, lulet e tyre janë ngjyrë të bardhë, të bardhë në rozë, rozë, etj. Lulëzojnë në mars dhe prill. Kumbullat, pjeshkët, kajsitë, kanë zakonisht numurin e kromosomeve 2n = 16 ose, 2n = 32, ndërsa dardhat 2n = 34, mollët, 2n = 52. Tek këto pemë mund të vrojtohen gjatë gjysmës së dytë të marsit, mejoza, mitoza polenike dhe mitoza somatike. Paraqesin figura shumë të bukura të ndarjes së qelizës por, kromosomet e tyre janë tepër të vogla, me morfologji uniforme dhe që ngjyrosen me vështirësi.
Paeonia (lule bozhuri): Bimë me lule ngjyrë të purpurt apo të kuqe, me thekë të gjatë, që rritet nëpër shkurre. Disa specie  tjera rriten edhe në vende gurishtore e barishtore të thata. Lule bozhurja mund të ketë numurin e kromosomeve 2n = 10 ose, 2n = 20 kromosome. Tek kjo bimë mund vrojtohet, mejoza, mitoza polenike dhe mitoza somatike. Paeonia është një bimë që paraqitet si material pedagogjik i klasit të parë për të vrojtuar figurat e ndarjes dhe morfologjisë së kromosomeve. Këto të fundit, paraqesin konture tepër të qarta kur bëhet ngjyrimi sipas metodës Fëlgen. Dallohen shumë bukur bivalentët e mejozës. Ka mundësi që të vrojtohen edhe aberracionet (difektet) e strukturës së kromosomeve.

PRILL
Allium ursinium (hudhra e egër): Hudhra e egër rritet në pyjet malore, lulëzon në fund të prillit dhe në fillim të majit, formon lule të vogla ngjyrë të bardhë dhe përdoret në mjekësinë popullore. Tek hudhra e egër mund të vrojtohet mejoza dhe mitoza polenike, numuri i kromosomeve është 2n = 14.
Polygonium (Nejcë ose bar pate, një lloj bari i keq): Bimë me kërcell me gjethe deri në majë ndërsa lulet e vogla. Bar i patës është tepër i përshtashëm, për vrojtimin e mejozës dhe të mitozës polenike. Kjo e fundit ka një ritmë të shpejtë dhe vërehet në një numur të madh mikrosporesh njëkohësisht.
Graminacea (graminore, të lashta si gruri, thekri, tërshëra, elbi, festuka, lolium, meli, etj.): Tek këto bimë monokotiledone, gjendet një numur i ndryshëm kromosomesh në specie të ndryshme. Mund të vrojtohen në prill mejoza dhe mitoza somatike.
Pisum sativum (bizelja): Bime e njohur leguminoze, barishtore kacavierëse, me lule ngjyrë të bardhë, tek e cila mund të vrojtohen kromosomet në ndarje mejotike dhe mitozë somatike.

MAJ
Vicia (fava batha e zakonshme): Edhe kjo është bimë leguminoze (bishtajore) dhe  përdoret për ushqim por edhe si forazh, lulet i ka ngjyrë vjollcë. Numuri i kromosomeve të bathës është 2n = 12 dhe tek kjo bimë gjatë muajit maj mund të vrojtohet mejoza dhe mitoza somatike. Materialet citologjike të pregatitura prej bathës janë shumë të bukura, fine, me forma të sakta dhe figura të qarta të kromosomeve ku duken edhe konstriksionet (ngushtimet) e tyre. Gjatë vrojtimit të mejozave mund të shikohen edhe lidhjet hijasmatike ndërmjet kromosomeve.
Lathyrus (vingjëra por edhe groshi): Bimë bishtajore, numuri i kromosomeve të të cilave është 2n = 14. Tek këto mund të vrojtohet një mejozë e interesante mbasi tek kjo e fundit dallohet në mënyrë  veçantë meitoza e parë gjatë së cilës ndodh krijimi i çifteve bilente të kromosomeve. Gjatë muajit maj mund të vrojtohen gjithashtu edhe Graminore të ndryshme, tek të cilat mund të kapet mejoza dhe mitoza somatike.

QERSHOR
Allium cepa (qepa e zakonshme): Bimë që formon bulb, me lule umbrellore, tepër e njohur dhe tepër e përdorur në jetën e përditëshme për ngrënie. Gjatë qershorit tek kjo bimë e cila ka një numur kromosomesh 2n = 16, mund të vrojtohet mejoza dhe mitoza somatike.
Petunia violacea (petunia): Bimë me lule të bardha ngjyrë trëndafili, me numur kromosomesh 2n = 14, tek e cila vrojtohet mejoza, mitoza polenike dhe mitoza somatike. Në mejozë vërehen shumë mirë formimi i bivalenteve me konture tepër të qarta.
Lycoperisicum esculentum (domatja): Bimë perimore me një numur kromosomesh 2n = 24, tek e cila vrojtohet gjatë qershorit, mejoza dhe mitoza somatike. Gjatë mejozës vërehet shumë mirë profaza e parë.

KORRIK
Datura stramonim (rrodhja e fushës ose, tatulla): Bimë me lule të bardha në formën e kupës tubore, gjëndet edhe si bar i keq nëpër ara të mbjella sidomos me të lashta. Përdoret edhe si bimë medicinale. Numuri i kromosomeve të rrodhes është 2n = 24 dhe tek kjo bimë gjatë korrikut mund të vrojtohet mejoza dhe mitoza somatike.
Nicotina tabacum (duhani i zakonshëm): Bimë tepër e njohur me lule aromatike të bardha në të verdhë. Duhani mund të ketë 2n = 18, 24, 48, kromosome dhe tek kjo bimë mund të vrojtohet, mejoza, mitoza polenike dhe mitoza somatike. Është me vlerë të përmëndim se pamjet që shikohen gjatë mejozës janë shumë të pastra, vrojtohet gjithashtu edhe evolucioni i gjëndjeve bivalente në profazën e parë të mejozës.
Zea mays ( misri): Misri ka numurin e kromosomeve 2n = 20, dhe tek kjo bimë mund të vrojtohet gjatë këtij muaji, mejoza, mitoza polenike dhe ajo somatike.

GUSHT
Scilla bifolia (qepë e egër): Qepa e egër ka një bulb të vogël, lule ngjyrë të kaltër dhe rritet nën shkure. Në muajin gusht tek kjo bimë mund të vërehen vetëm mitozat e gjetheve tepër të reja, të cilat janë të shumta në numur.

SHTATOR
Hyacinthus (Zymbyli): Zymbyli është bimë bulbore, me gjethe vizake, me lule ngjyrë trëndafil blu, ose të bardha, ka 2n = 24, kromosome dhe tek kjo bimë në fillim të vjeshtës mund të vrojtohet mejoza. Bëhet fjalë për zymbylat e malit.

TETOR
Allium sativa (Hudhra e zakonshme): Bimë e kultivuar tepër e njohur dhe e përdorur në guzhinë, me 2n= 16 kromosome. Tek rrënjët e hudhrës, gjatë këtij muaji, mund të vrojtohen një sërë mitozash, preparatet pregatiten me sukses sidomos kur bëhet ngjyrimi me karminë ferike. Duken shumë qartë konturet e kromosomeve.

NËNTOR
Muscari (Lule mysku): Lule mysku rritet në kullota dhe në vënde me bar e shkurre, lulet i ka ngjyrë boj qelli të çelët, ka 2n = 36 kromosome dhe tek këto bimë mund të vërrehen mejoza dhe mitoza polenike dhe ajo somatike. Tek lule mysku egziston mundësia që në një lulëri të vrojtohet cikli i plotë kromosomik.

DHJETOR
Gjatë këtij muaji mund të vrojtohen mitoza dhe mejoza tek bimët e përmëndura më parë si, Helleborus = lule taçja, (cila vrojtohet në Janar) dhe Muscari = lule mysku, e cila mund të vrojtohet në nëntor.

Bibliografia:
Qosja XH.(1973),.... Udhëheqës praktik i florës së Korçës.
Mustafa Demiri (1979),.... Përcaktues bimësh.
Ballauri I, (2007 Botim personal),.... Njohuri laboratorike praktike mbi citogjenetikëmn e bimëve.
Gagnieu A,.... L’observation des chromosomes

Ilia V. Ballauri
Dr. shkencave
dhe
Prof.As.Dr.Irena Kallço
Qershor 2008,
Botuar tek: Buletini Shkencor Nr.18, Univ. Fan Noli, Korçë.


 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE8/14 - Rrapet e Shën Mërisë në Korçë.

 Korça nuk është zonë e pasur me rrape, përkundrazi ka qënë e pasur me plepa. Plepa kish në ish sallahana e dikurshme, plepa kish në kishën e dikurshme “Burimi jetëdhënës" (Mitropolia), para vitit, 1927 -28, d.m.th. përpara se të fillonin ndërtimet për Mitropolinë e re, ku sot është Muzeu i artit mesjetar, plepa kish tek...

» KE11/5 - Mbi oborret e qytetit të Korçës. Skicë

 Në Korçë duke përjashtuar apartamentet, nuk ka shtëpi, ose për të qënë më të saktë, numërohen me gishtat e dorës ato shtëpi, që nuk kanë oborr dhe që dalin drejt e në rrugë. Shtëpitë e qytetit tonë, shumë a pak që të gjitha kanë oborr, kush në një sipërfaqe më madhe dhe kush, në një sipërfaqe më të vogël....

» KE1/31 - Bliri

Bliri (Latn. Tilia cordata L.) është drupyjori karakteristik i bulevardeve të Korçës, të cilat janë zbukuruar me këtë specie, aty nga vitet ’60. Para këtyre viteve bulevardet kishin në të dy anët në shumicën e rasteve akacie, ose si quhen në gjuhën e popullit, ‘rogovecka’.   Bliri i bulevardeve të Korçës në vartësi të...

» BK/N - Gjenetika - Statistika matematike: Mbi vërtetësinë e eksperimenteve të G. Mendelit

Në vitin 1936 Ronald A. Fisher në një punim statistikor të kryer mbi eksperimentet e G. Mendelit (1), hodhi mendimin se këto eksperimente janë, “too - good - to - be - true”, (shumë të mira, për të qënë të vërteta), pra aq të sakta sa brenda logjikës probabilistike është vështirë, ose thuajse e pamundur, që rezultatet e...

» BK/N - Sojet e vjetra të grurit në Korçë

 Treva e Korçës sipas të dhënave arkeologjike, për Shqipërinë është qëndra më e lashtë, ndërsa më gjërë, një nga qendrat më të lashta, ku konstatohet se këtu ka pas qënë kultivuar gruri. Në vëndbanimin e hershëm të Maliqit, janë gjetur kokrra gruri të karbonizuara me moshë 4000 – 4700 vjeçare.Ndërkaq edhe në...

Share