MZ - Aforizma: Nga filozofia romake

 

Lënia për një çast pezull dhe mosmarrja e vendimit, për një çështje të dhënë, është e lodhëshme dhe shqetësuese por kjo gjë, është njëkohësisht edhe burim dhe mundësi, për të vepruar me mënçuri.

*
Padrejtësinë e urrejnë edhe vetë të padrejtët.

*
Akoma edhe një qime, edhe ajo ka hijen e vet.

*
Ai që mbrohet edhe atëhere kur është i mbrojtur, nuk rrezikohet lehtë.

*
Lënia e një emri të mirë, është edhe ajo një pasuri më vete, që u lihet trashëgimtarëve.

*
Përbuzja më e madhe për dikë, është ta quash mosmirënjohës apo, bukëshkelur.

*
Një tru i fortë, nuk nguron të marrë vendime.

*
Është e trishtueshme, të ta kthejnë me të keqe, atë ç'ka ti ua dhurove me kënaqësi.

*
Dështimi që na le mbresa më tepër, është dështimi i parë.

*
Gjatë një gjyqi, gjykatësi gjykon si proçesin ashtu edhe veten e vet.

*
Pasi kanë zgjedhur rrugën mirë, akoma edhe të verbërit, ecin të sigurtë. 

*
Gënjeshtra që thuhet për një qëllim të mirë, është dhe ajo një veprim i drejtë.

*
Fundi i një të varfëri është atëhere kur ai, imiton të pasurin.
 
*
Kur ngul këmbë tek padrejtësitë, krijon padrejtësi të tjera.

 

Nxjerrë prej: Sententiae, Publili Syri, shek 1-rë, para Kr.

 

Në përgjithësi, gjithmonë fëmijët kanë dashur të hanë, disa herë më tepër se zakonisht, gjatë ditës. Përveç nevojës biologjike, të ngrënit për ta, shpesh bëhet edhe një lloj kënaqësie, apo argëtimi, apo psikozë më vete. Gjithmonë fëmijët me vënd e pa vënd, me kohë e pa kohë, kanë kërkuar të hanë. Kjo kërkesë e tyre sot të paktën për vëndin tonë, është relativisht e lehtë për tu plotësuar. Me vënd e pa vënd sot, ata duan një hamburger, një tost, një kruasan, chips, popcorn, banane, një krepes, një sanduiç, një, një, ….
Të gjitha këto, për një fëmijë përpara 50 vjetëve, ishin krejt të panjohura, ndaj dhe një gjysh, sot, gjithë terminologjinë e mësipërme, e ka të vështirë, si për ta kuptuar ashtu dhe për ta përdorur.
Dikur të ngrënët e fëmijëve me vënd e pa vënd, me kohë e pa kohë,  shprehej me thënien: “dua bukë në dorë“. Fëmija prej lojës jashtë në rrugë, kur i haej, hynte brenda në shtëpi dhe kërkonte:“dua bukë“. Menuja e “bukës në dorë“, në ato kohë, nuk kish shumë larmi. Nëna pasi i priste një fetë prej pllakës së bukës e bënte atë, ose me sheqer e me vaj, ose me sheqer dhe me ujë, ose me vaj dhe me kripë, ose me sallo, ose me marmallatë ose rrallë herë me gjalpë, etj. Ndërkaq shpesh ndodhte që t‘i jepnin fëmijës edhe një copë bukë thatë, duke i thënë se kështu ishte më mirë mbasi, „të bëhen faqkat e kuqe“.
Pavarësisht, fëmija kur dilte në rrugë, me fetën e bukës në dorë, aty e prisnin shokët dhe ndërkaq, fillonte një ceremonial i vërtetë.
Së pari dëgjohej kërkesa: “Na jep të kafshojmë njëherë“. Dhe kështu në çast, feta e bukës me sheqer dhe me vaj fillonte dhe kalonte gojë më gojë, tek të gjithë shokët e mëhallës të mbledhur aty. Të gjithë kafshonin njëri pas tjetrit nga një kafshatë dhe buka, pasi kalonte dorë më dorë, në rrethin e fëmijëve kthehej në dorën e të zotit, më tepër se e përgjysmuar.
Ky proçes sot, për një psikolog do të ishte një lëndë e parë, për studime me vlerë, në drejtim të pedopsikologjisë dhe ja sepse.
Kish fëmijë që e jepnin me gjithë qejf, me gjithë zemër bukën e vet, tek të tjerët, për tu kafshuar, pa u kursyer, pa ndrojtje, pa u ardhur ndot, madje kish edhe nga ata, që të theshin „kafsho edhe një herë“. Kish ndërkaq të tjerë fëmijë që nuk e jepnin, ose të tjerë që e shënonin atë, se deri ku, ajo duhej kafshuar. Nga ana tjetër kish fëmijë që hapnin gojën shumë kur kafshonin dhe kish të tjerë, që bënin të kundërtën. Kish prindër që i porositnin fëmijët, që mos ua jepnin të tjerëve bukën që ta kafshonin (ndonse kishin, ishin pra në gjëndje)  dhe kish të tjerë që, kur vinin prej rruge, dy shokë në shtëpi, u jepnin që të dyve nga një copë bukë në dorë (ndonse nuk kishin), etj.
Së fundi, duhet thënë se, e njëjta shprehje, “Na jep të kafshojmë njëherë“, përdorej edhe për mollët, dardhat e freskëta etj, ndërsa për akulloret, stapkat prej sheqeri, këndeskat prej sheqeri, mollkat e lyera me sheqer, etj. përdorej shprehja, “Na jep të lëpijmë njëherë“.

dr. I.V.Ballauri

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Aforizmë: Nektar Tërpo - Voskopojari

Vjedhës është edhe ai, që gjykon pa të drejtë, falë dhuratave që merr.

» KE11/19 - Mbi sigurimet shoqërore në Korçë në prag të rënies së perandorisë osmane. (v. 1911)

 Sistemi i sigurimeve shoqërore në Korçë, njihet prej mëse 100 vjet përpara. Kështu për sigurimin e jetës më 1911, në qytetin tonë funksiononin këto tetë shoqëri sigurimesh:“Amivea” ose Sigurimi Reciprok, që kish për agjentë sigurimi, të jetës, vëllazërinë Mangoleci.“Ankara”, që kish për agjent sigurimi të...

» BK/SHJT- Ne dhe fqinjët e rrugicës sonë, në kohën kur u prish kisha e Shën Gjergjit në Korçë.

(Skicë, nxjerrë nga punimi me titull;... Thonë se trishtimi ka një fund ...ose,Esse sinoptike mbi botën metafizike të vendlindjes sime, Korçës.autor, Ilia V. BallauriBotim personal, 2001, 517 fq.) Vendi ku u linda dhe u rrita, për herë të parë në botë për të gjitha kohërat, epokat, stadet dhe sistemet që ka kaluar njeriu,...

» BK/SHJT - Buka e dheut. Skicë

 Para disa kohësh, një qiparis i limontë mu tha.Unë, që këto punë i di fort mirë o miku im dhe që e di se edhe bima ka shpirt, paçka se Aristoteli dhe Platoni për njëzet vjet mes tyre, debatonin nëse bimët kanë apo jo shpirt, e pra unë që e di më mirë se ata dhe që jam i bindur që bima ka shpirt, vendosa ta shoh këtë...

» KE9/13 - Mbi rrrugën e gjatë të përfitimit të një profesioni (zanati) në kohët e pushtimit turk.

 (Shënim: Për hartimin e këtij hulumtimi jemi bazuar kryesisht tek bot. „Esnafet Shqiptare“ aut. Z. Shkodra. Akad. Shkenc. Shqipërisë, 1973, fq.89 - 106.)Përfitimi dhe ushtrimi i një profesioni, i një mjeshtërie të caktuar, apo një zanati, më parë, në kohën e pushtimit turk por edhe më pas, deri aty nga mesi i shekullit të 20...

Share