Aforizma të eruditëve grekë dhe romakë: Për bukurinë.

 


Bukuria është dhuratë e Zotit.
Aristoteli
*
Bukuria individuale i hap rrugën njeriut, më tepër sesa një rekomandim.
Aristoteli
*
Sigurisht që bukuria është një dhuratë e mirë e Zotit, por duket se vetë Zoti mendoi se kjo, bukuria pra, nuk është ndonjë e mirë e madhe, përderisa ai e dha atë edhe tek njerëz të liq.
Shën Agustini
*
Në çastin që një vajzë fillon e nuk ka më ndrojtje dhe nuk skuqet më, atëhere ajo ka humbur pjesën më tërheqëse dhe më fuqiplotë të bukurisë së vet.
Grigori i 1-rë, shek 6-të
*
Të lutem o Zot, më bëj të bukur përbrenda.
Sokrati
*
Bukuria e stilit, e harmonisë, e hijeshisë dhe e një ritmi të mirë, varen nga thjeshtësia.
Platoni
*
Njësoj si mund të gabojë një mëndje kur ajo gjykon nën veprimin e pijes së verës, ose një sy, kur ai sheh në errësirë, ashtu mund të gabojë edhe një shpirt, kur ai është i dehur prej një bukurie.
Ovidi
*
Njoh dikë që kur pa një grua me një bukuri goditse, ju lut Krijuesit për të. Duket pra se pamja e saj e ndriçoi atë burrë, që t'i drejtohej Zotit me përdëllim.
Shën Joan Klimakus, shek. 7-të
*
Ç'ka është e bukur është e mirë dhe, kush është i mirë, shpejt do të konsiderohet edhe si i bukur.
Safo
*
Asgjë e bukur nuk është e bukur, po qe se shikohet nga të gjitha këndvështrimet.
Horaci
*
Kur në mesnatë kandili shuhet,
të gjitha gratë, kanë një bukuri që s’thuhet.
Plutarku





 

pitoset

Pitose, quheshin në kohë të lashta, hambaret ose enët ku ruheshin apo konservoheshin produktet e ndryshme bujqësore, kryesisht drithrat, si gruri, elbi, meli, thekri, etj, por edhe farërat e bimëve të tjera bujqësore si, thjerrëzat, qiqrat, etj. Në këto enë ruheshin madje edhe uji,  vera, vaji apo edhe produkte të tjera ushqimore, të përgatitura ose gjysmë të përgatitura, që dilte në atë kohë, e nevojshme për t’i mbajtur gjatë.
Pitoset ishin enë të mëdha qeramike, pra prej balte të pjekur. Kishin volum të përmasave të ndryshme, me trajtë vezore ose gati sferike. Nga sipër pitoset kishin grykën, ndërsa poshtë kishin fundin, i cili mund të ish në formë konike si majë duke shërbyer kështu më mirë për tu ngulur dhe futur brenda në tokë ose më thjesht, për tu groposur aty.
Disa pitose nuk groposeshin në tokë ndaj dhe fundin e kishin në formë trung koni. Këta mbaheshin nëpër banesat, në pjesët më të freskëta dhe më të thella të tyre.
Sot rudimente të pitoseve janë qypet që kemi patur të gjithë, nëpër shtëpitë tona. Qypet janë një lloj pitosi që nuk groposet.
Pitoset, pra ishin hambaret e lashtësisë. Në to produktet e ndryshme ruheshin relativisht të freskëta, dhe kjo, falë aftësisë që ka toka ku groposeshin pitoset, për të ndryshuar pak temperaturën e vet.
Pitoset prej qeramike kishin madhësi dhe përmasa të ndryshme. Disa prej tyre arrinin deri në 1.5m diametër, me grykë rreth 80cm, ndërsa lartësi deri 2m, apo edhe më shumë.
Pitosit si hambarë filluan të përdoren shumë herët por një përdorim të gjërë ata morën veçanërisht, në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të parë, para Kr.
Prodhimi i pitoseve prej poçarëve ishte një “industri” e tërë në atë kohë, madje edhe një “fushë-beteje” për elementet e ndryshme të artit, pra për talentin e artistëve poçarë. Janë gjetur pitose ku në to, pasqyrohen lloj-lloj zbukurimesh, që janë vepra të vërteta arti, apo ku pasqyrohen skena të vlefshme të ngjarjeve të ndryshme historike. Zakonisht poçarët që prodhonin pitoset, linin tek këto vulën e vet.
Pitoset hambarë, janë gjetur me shumicë në zonën e Korçës, në Pogradec dhe deri në Skrapar dhe mendohet se i përkasin kohës së fisit të Dasaretëve. (S. Anamali, “Arkeologjia dhe Bujqësia”, fq.21, 1980)
Tek disa gryka pitosesh të gjetura në Pogradec, lexohen emrat Gent dhe Epikad, ndërsa në një pitos të gjetur në fshatin Tren në qarkun e Korçës, lexohet emri Plator. (Po aty fq. 20)
Në anët tona, është me interes të themi se po në fshatin Tren është gjetur një pitos, në grykën e të cilit është gdhëndur një parmëndë për të lëruar tokën prej druri e pajisur me plor hekur dhe që sipas specialistëve, kjo është dëshmia e parë grafike e figurës së një parmënde, e gjetur ndonjëherë në vëndin tonë. (Po aty fq. 20)
Një element pra me rëndësi ky për historinë e bujqësisë në anët tona.
Së fundi, theksojmë se në kohë të lashta, ekzistonin disa lloje pitosesh që gdhëndeshin në tokë, pra të përhershëm. Këta gëdhëndeshin në formë gropash të thella, në trajtën e qypit të madh, në shkëmbinj shtufi apo, shiste të ndryshme ranore dhe mbuloheshin pastaj me një kapak. Të tillë pitose në anët tona janë gjetur në Laktesh, të Pogradecit. (Po aty fq. 20).
 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE3/17 - Një përshkrim i vitit 1830 për qytetin e Korçës.

 “Korça ose Gjiorça është qytezë me 800 shtëpi,…, ka pazar të mirë me rreth 300 dyqane, ka ujra të mira dhe ajër të shëndetshëm. [Korça] është ndërtuar në anën lindore të fushës [së Korçës] e cila ka gjatësi rreth 6 orë dhe gjërësi diku 2 dhe diku 3 orë, fushë kjo pjellore në prodhimin e drithrave dhe...

» KE4/2 - Teksti i plotë i këngës korçare, që njihet me titullin, “Kur vjen behari çel qershia”

Kjo këngë  kaq e vjetër dhe kaq e bukur, që njihet jo vetëm prej korçarëve por prej kujtdo, gjithandej, nuk ka këtë titull, por ka për titull vargun filozofik: “Dashuria është djallush”.Teksti i saj i mahnitshëm është thurur plot art prej L. Logorit, ndoshta në fillim të shek. 20-të. Dashuria është djallush nënkupton...

» KE2/3 - Leskoviku rreth viteve 1830.

Një përshkrim i atyre viteve. ‘Përballë Postenanit ndodhet qyteza e Leskovikut me 400 shtëpi prej të cilave një pjesë janë shtëpi të kamura. Vëndndodhja e qytezës është në një panoramë të bukur, me ujëra, dhe me ajër të shëndetshëm. Qyteza ka edhe pazar. Bejlerët e këtushëm janë aktivë në jetën politike,...

» BK/LA - Theognis - Lirikë - Erotike

Theognis, konsiderohet si një ndër poetët më të rëndësishëm të poezisë elegjike të Greqisë së lashtë. Ai ishte fisnik nga Megara dhe mendohet se ka jetuar në mes të shek. VI-të para Kr. Me emrin e Theognis sot na kanë mbritur 1389 vargje poetike, ndër të cilat edhe shumë erotike. Meqënëse poeti jetoi në periudhat e...

» KE5/21 - Disa parametra të pastërtisë së qytetit të Korçës për vitin 2005.

Lexojeni të plotë tek KE5/21.

Share