Homeri mbi teorinë e marrjes së vendimeve, ose mbi zgjedhjen që duhet bërë ndërmjet dy të këqiave:
Skillës dhe Haribdit.

Gjithmonë ka qënë i vështirë për tu marrë vendimi se ç’duhet zgjedhur  ndërmjet dy të këqiave, prej të cilave, njëra e keqe ka një dëm relativisht të madh por të njohur (Skilla) ndërsa tjetra (Haribdi), është një e keqe e pa njohur dhe zgjedhja e saj ose mund të të çojë tek një fitore pa humbur asgjë, ose në një katastrofë të plotë.
Në një dilemë të tillë u ndodh dikur edhe Odisea dhe … sipas Homerit duhet zgjedhur Skilla. Le ta dëgjojmë. Homeri – Odisea Rapsd 12.  (vargj. origj. 201 – 259)


…rruga,

ka dy shkëmbinj që dalin prej detit, të mprehtë.

Skilla
Njëri shkëmb me majën e vet arrin,
deri në qiellin e gjërë rreth së cilës,
ka një re blu në të zezë,
që asnjëherë nuk shkrihet, nuk largohet
dhe qielli atje,
as në verë dhe as në vjeshtë, nuk kthjellohet.
Gjithashtu në atë shkëmb,
nuk ka mundësi kurrë që të ngjitet a të zbresë njeri,
sikur edhe njëzet duar dhe njëzet këmbë të kish,
sepse duhet të dish,
që ai është i mprehtë, i mprehtë dhe i lëmuar,
si i lëpirë krejt
në të gjitha anët, rreth e rreth.
Në mes të këtij shkëmbi,
ka një zgavër-shpellë të errët, me nxirësirë pùsi,
që hapet,
shikon për nga veriperëndimi pra Erebùsi.
O, Odise i lavdishëm!
Në anë të këtij shkëmbi të rrezikshëm,
të duhet të drejtosh anijen.
Shpella tek shkëmbi është aq lart,
sa nga anija barkthellë,
sikur edhe harkëtari më i fortë të gjuante me hark,
shigjeta nuk mund të arrinte dot, e të futej aty.
Brenda në të,
jeton Skilla e tmerrshme që len, ulërin, s’pushon.
Zëri i saj është therës,
si i këlyshit që bushtra me sisët e veta mëkon.
Por pa dyshim
që ajo është një përbindësh i tmerrshëm
një qënie e shëmtuar,
si për njeriun, ashtu dhe për perënditë e amshuara.
Skilla ka dymbëdhjetë këmbë që nuk i duken,
si dhe gjashtë qafa të gjata që i sjell rrotull, i lëkundën.
Në çdo qafë, ka një kokë të tmerrshme
dhe tek goja, në anën e përbrëndshme,
ka tre rreshta, me dhëmbë të shumtë pra të dendur,
me vdekjen e zezë, të mbushur.
Trupi i saj, është i futur deri në mes në zgavra-shpellë
dhe jashtë mbi të tmerrshmen humnerë,
përbindëshi i frikshëm, kokat e veta nxjerr.
Prej andej,
duke kërkuar gjith’ egërsi rreth shkëmbit rrëmben,
peshq, delfinë, peshq-qenër a kafshë të mëdhaja ç’gjen,
qënie uji pra që Amfitriti, e cila me valët buçet,
i dërgon me shumicë, të kullotin në të madhin det.
Asnjë lundërtar,
nuk mburret se me anijen e vet, Skillës i shpëtoj,
sepse kjo me kokat e saja,
rrëmben këdo prej anijes me të purpurt plor.

Haribdi
Tjetri shkëmb që del prej detit Odise, do shohësh,
se është më i ulët, më i vogël
dhe ky, është afër me të parin.
Ai është aq i lartë, sa mund ta kapësh me shigjetë.
Në mes të tij, ka një fik të egër me të tilla fletë,
të cilat janë jashtëzakonisht jeshile.
Poshtë këtij fiku të egër, qëndron Haribdi e tmerrshme,
që thith e përpin brenda, ujërat e errëta,
me forca të pashtershme.
Tre herë në ditë, ujën e nxjerr, e vjell, e hedh përpjetë
dhe tre herë të tjera,
e fut, e thëthin atë, në një mënyrë shumë të shpejtë.
Të lutesh që mos të të ndodhë, të gjendesh aty pranë,
në çastin kur Haribdi, të thithë ujët me forcë të paparë,
mbasi nuk mundet që prej së keqes të të shpëtojë,
as Poseidoni që dheun tund e shkund,
sa herë që të dojë.

Prandaj, të afrohesh pranë shkëmbit të Skillës
dhe anijes t’i jepni fort,
mbasi është më mirë,
që të humbasësh gjashtë shokë, sesa të gjithë tok.”



Shqipëroi:  Ilia V. Ballauri ©


 

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Poezia: Zotni Rudolfi.

Nuk ka më kuptim,të thuash: “Jetë qeni!”mendoja, një ditë tek shikoja,qentë, që para portës së shtëpisë na kalojnë,qentë, që në lagjen tonë banojnë.Këtu tek ne, qentë anekënd, si në Wonderland, shëtisin të larë, të pastër si drita, qimengrehur, shpesh me pallto, papion, a në kokë fjongo, stil Barbie cullufekrehur,si...

» MZ - Poezia: K. Kavafi, "Qirinjtë"

Konstandin Kavafi, lindi dhe vdiq në të njëjtin qytet, në Aleksandri të Egjiptit (1863 – 1933). Lindi dhe vdiq në të njëjtën ditë më 29 prill. Ishte fëmija i nëntë i Petro Kavafit, tregëtarit të madh të pambukut, në Egjipt i cili origjinonte në thellësi prej një familjeje të vjetër greke bizantine nga Kostandinopoja....

» BK/LA - Letrat - Poezia lirike - Këngë lotimi.

Për poezinë e më poshtme, që duket se përshkohet nga një finesë ndjenjash, përveç dy inicileve, nuk kemi asnjë të dhënë për autorin e saj. Ajo gjendet e botuar në shtypin e Korçës të vitit 1927, “Kalendari, Korça 1927”, botuese Dhori Koti, Korçë. Riprodhimi i mëposhtëm është sjellë me arkaizmin tipik të kohës siç...

» MZ - Poezia: Johann Wolfgang Goethe

 Një lule që bie, e njofton kopshtarin se tashmë, ajo ka lidhur frut.  - J.W. GëteAh! - Sikur më ka marrë trajtë më të mbushur, më të zbukuruar, gusha, -më tha një ditë e dashura ime, e befasuar, teksa e putha.- Vogëlushe, e mira ime! – i thashë duke i kujtuar,dora e Venusit të ka lulëzuar,duke të njoftuar,se ah!Trupi yt i...

» MZ - Poezia: Molusku i shtëpise sime.

 Pasi prej magmës, brëndësisë më të parë, qindra miliona vjet më parë, shkëmbinjtë e murrmë, ultrabazikë, shpërthyen në sipërfaqe për të dalë, për të krijuar male, si mali që qyteti ynë mban mbi krahë, këtu, rrëzë sipërfaqeve të tyre, “lëkurë elefanti”, siç i cilëson, nobelisti poet, pati det.Jeta që brenda...

Share