MZ - Aforizma: Johann Wolfgang von Goethe

 

Njeriu çdo ditë duhet të dëgjojë pak muzikë, të lexojë pak poezi, të shohë një pikturë të bukur,  në mënyrë që rutina e përditëshme, mos bëjë që të lihet në harresë, ndjenja për të bukurën, ndjenjë kjo të cilën Zoti e ka mbrujtur në shpirtin e njeriut.

*
Njësoj si në Romën e lashtë, ku në qytet, përveç romakëve kish edhe një mori bustesh dhe statujash mes të cilave rronin njerëz, ashtu edhe sot, përveç realitetit, ekziston edhe një botë e fortë me fantazi dhe imagjinata, ku edhe në të jetojnë njerëz.

*
Thonë: Njih vetveten! Po si mund dikush të njohë vetveten? Kjo gjë nuk mund të bëhet, nëpërmjet survejimit të vetes, por vetëm nëpërmjet praktikës dhe ja sesi: përpiqu të kryesh detyrën që të takon dhe do të shohësh, se ke për të kuptuar menjëherë, karakterin tënd. 


*
Çdo moshe të njeriut, mund  t'i vihet në korrespondencë një filozofi e caktuar.
Fëmija paraqitet realist. Ai është aq i bindur për ekzistencën e dardhës dhe të mollës sa edhe për ekzistencën e vet.
I riu, i përfshirë siç është në furtunat e veta të brëndëshme është i detyruar që ta kthejë vëmendjen, të rrëmojë dhe të kërkojë brenda vetes, pra të bëhet idealist.
Një burrë i pjekur, ka një sërë arsyesh që të jetë skeptik. Ai dyshon sipas mënyrës së vet, nëse janë të sakta mjetet që ai ka zgjedhur për të kryer një veprim. Gjithashtu përpara se të veprojë dhe në çastin që vepron, e ka të nevojshme që të jetë vigjilent, me qëllim që në të ardhmen, mos pendohet hidhshëm për zgjedhje të gabuar.
I moshuari, ndërkaq është mistik. Mjaft gjëra i shikon të varen prej fatit, një diçka që s'ka logjikë të ecë dhe, logjiken të pengohet e të shkojë shtrembër, fati dhe pafatësia pra, të ndërrojnë vënd papritur dhe papandehur.

Zgjodhi dhe perkth: I.V.B.


Në lashtësi, në kuadrin e ndërprerjes së luftës mes mbretërisë së Egjiptit dhe mbretërisë së Etiopisë, pas ezaurimit të përdorimit të të gjitha llojeve të mjeteve dhe, pas vendosjes së paktit se do të fitonte ajo mbretëri, mbreti i të cilit do të mundte me zgjuarsi, mbretin e mbretërisë tjetër, nisi pra dyluftimi mendor, nëpërmjet goditjes me probleme logjike, që i bënte njëri mbret, mbretit tjetër. Mbreti që do të mbetej, pra që nuk do të mund t’i përgjigjej, problemit që i drejtonte mbreti tjetër, ose që do t’i jepte këtij përgjigje të gabuar, do të humbte luftën dhe, mbretëria e tij do të humbte tokat për të cilat kish shpërthyer grindja.
E pra, në këtë betejë, mbreti i Etiopisë i dërgoi një problem mbretit Amas të Egjiptit. Ky i fundit, i zënë ngushtë, kërkoi ndihmë për zgjidhje duke e dërguar atë tek mbreti Periandër i Korinthit me qëllim që ky,  me ndihmën e të shtatë njerëzve më të zgjuar në botë, ta ndihmonte për të dhënë një përgjigje. Sipas Plutarkut, ndihmesën në zgjidhjen e problemit në fjalë, e dha Vianda njëri pra prej të shtatë burrave më të ditur në botën e asaj kohe. Le të citojmë tani vetë Pluarkun:
 

Zgjidhja prej Viandës (njërit prej të shatë njerëzve më të ditur të botës) e një problemi logjik të ngritur prej mbretit të Etiopisë për mbretin e Egjiptit, si mjeti i fundit për ndalimin e luftës mes këtyre dy popujve.


"Mbreti Amasis i Egjiptit i dërgoi Viandës, [njërit prej shtatë njerëzve më të ditur të botës së lashtë] një problem logjik, të ngritur prej mbretit të Etiopisë, për të zgjidhur. Le ta dëgjojmë:
Mbreti i Etiopisë haet me mua se, kush është më i ditur, ai apo unë. Ndonëse është mundur në të gjitha matjet, tani po bën një përpjekje të fundit dhe më kërkon që, të pi gjithë ujët e deteve. Si përfundim, në rast se gjej një zgjidhje për këtë kërkesë, do të marr shumë qytete dhe vënde të mbretërisë së tij. Në qoftë se  nuk gjej zgjidhje, atëhere duhet të tërhiqem nga rajoni i Elefantisë, [kufiri ndërmjet Egjiptit dhe Etiopisë së dikurshme]. Të lutem pra Vianda të mendosh një përgjigje për këtë çështje dhe pastaj unë, do të shpërblej me gjithçka që do të duash ti, miqtë dhe bashkëqytetarët e tu.

Vianda pasi lexoi letrën e mbretit, u përqëndrua, këmbeu disa fjalë me Kleovulin të cilin e kish pranë dhe pa e zgjatur shumë i tha kasnecit të mbretit:
“ Si thua ti? Amasis që është mbret i kaq e kaq njerëzve dhe që ka nën zotërim një vënd kaq të madh dhe kaq të bukur është i predispozuar që për disa vënde pa vlerë të pijë kaq dete?
“Le të supozojmë se po, ... Vianda - tha kasneci - ja mendoju se ç’mund të bëjë.”
“Bukur - tha Vianda – atëhere le t’i thotë mbretit të Etiopisë që, të ndalojë lumenjtë që rrjedhin në det, derisa ai të pijë ujët e deteve që gjendet aty tani, mbasi kërkesa bëhet për ujët e deritanishme të deteve dhe jo, edhe për atë që do të shtohet”  

                                                                *


Ndërkaq edhe mbreti i Egjiptit Amas i drejtoi mbretit të Etiopisë problemin e vet dhe, duket se mbreti i Etiopisë në përgjigjen që i dërgoi Amasit, sipas gjykimit të një tjetri burrë Thalit, (edhe ky njëri prej të shatë burrave më të ditur në botë) nuk dërgoi dot përgjigje të saktë. Në këtë kuadër Thali bën korrigjimet e veta, nëpërmjet të cilave kuptojmë thellësinë e postulateve filozofike të tij aq të famshme, për të gjithë mendimin e botës së lashtë. Le të ndjekim tani tregimin e Plutarkut, citojmë:

 

Verifikimi filozofik prej Thalit, (njërit prej të shatë njerëzve më të ditur të botës) i një problemi filozofik që mbreti i Egjiptit, i drejton mbretit të Etiopisë.

 

“… Amasi [mbreti i Egjiptit], kërkon prej mbretit [të Etiopisë] të përcaktojë:
gjënë më të vjetër,
gjënë me të madhe,
gjënë me të ditur,
gjënë më të bukur,
gjënë më të zakonshme,
gjënë më të dobishme,
gjënë më të dëmshme,
gjënë më të fortë,
gjënë më të kollajshme,
… dhe do t’iu lexoj tani pikërisht sesi ai [mbreti i Etiopisë], u përgjigj:
Kush është gjëja më e vjetër? - Koha –
Kush është gjëja më e madhe? – Universi –
Kush është gjëja më e ditur? – E Vërteta –
Kush është gjëja më e bukur? – Drita –
Kush është gjëja më e zakonshme? – Vdekja –
Kush është gjëja më e dobishme? – Zoti –
Kush është gjëja më e dëmshme? – Djalli –
Kush është gjëja më e fortë? – Fati –
Kush është gjëja më e kollajshme? – Kënaqësia –
[Ndërkaq] Thali tha: Në të vërtetë, asnjëra prej këtyre përgjigjeve nuk është pa mangësi, pra që të gjitha përmbajnë gabime të mëdha, madje për më tepër janë shëmbuj që tregojnë pamëndësi. Për shëmbëll, si do të mundeshe që koha të quhej gjëja më e vjetër, kur dihet se ajo përmban, një pjesë që është e shkuara, një pjesë që është e tashmja dhe një pjesë e ardhmja. E pra, koha që do të vijë pas nesh, patjetër që që do të jetë më e re, sesa njerëzit dhe gjërat e sotme. Gjithashtu, po qe se themi se e vërteta është gjëja më e ditur, pra dituria vetë, është njësoj si të themi se syri është dritë.  Akoma edhe më, po qe se themi se drita është gjëja më e bukur – që vërtet është një gjë shumë e bukur -  atëhere, ku e lamë diellin? … … …
Dhe [tha Thali] për të mos dhënë përshtypjen se s’bëjmë gjë tjetër, veçse korrigjojmë përgjigjet e tjetrit, [pra të mbretit të Etiopisë] le të parashtrojmë përgjigjet tona [ndaj problemit të ngritur prej mbretit të Egjiptit].
Kush është gjëja më e vjetër? - Zoti – tha Thali mbasi ai është i përhershëm, i pa krijueshëm.
Kush është gjëja më e madhe? – Hapësira – tha Thali – mbasi Universi vërtet që i përfshin të gjitha por ndërkaq, atë vetë e përfshin Hapësira.
Kush është gjëja më e ditur? – Koha –  mbasi jo vetëm që deri tani ka nxjerrë në dritë pra zbuluar një pjesë të gjërave, por ajo do të vazhdojë edhe në të ardhmen, të zbulojë të tjera.
Kush është gjëja më e bukur? – Universi – mbasi të gjitha, pasi janë orientuar si duhet të jenë, ato janë pjesë përbërëse e tij.
Kush është gjëja më e zakonshme? – Shpresa - mbasi edhe ata që nuk kanë asgjë, këtë e kanë gjithmonë me vete.
Kush është gjëja më e dobishme? – Virtyti – mbasi nga një përdorim i saktë i tij, ai i bën të gjitha gjërat e tjera gjithashtu, të dobishme.
Kush është gjëja më e dëmshme? – Ligësia – mbasi prania e saj, dëmton shumicën e gjërave.
Kush është gjëja më e fortë? – Nevoja – mbasi vetëm ajo nuk mposhtet.
Kush është gjëja më e kollajshme? – Gjëja më e kollajshme, varet nga natyra e njeriut pra është specifike, mbasi edhe kënaqësia nganjëherë nuk është e kollajshme sepse edhe me të, ndodh që njeriu të lodhet.



Plutarku, tek, Epta sofon symposio. prgrf. 6,8,9.
Zgjodhi dhe shqipëroi: Ilia V. Ballauri 

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Filozofi :Pitagoristi Periktion dhe përcaktimi i tij për filozofinë, sh. e natyrës dhe muzikën.

 ... E pra, gjeometria dhe arithmetika, si dhe dijet e tjera teorike dhe shkencore merren me disa gjëra (objekte studimi), ndërsa filozofia trajton të gjitha llojet e objekteve, mbasi filozofia lidhet me të gjitha objektet, në të njëjtën mënyrë si lidhet të pamit, me të gjitha pamjet dhe të dëgjuarit, me të gjitha dëgjimet. Nga...

» MZ - Filozofia e lashtë kineze: Për të varfërit edhe era bën dallim vepron e sillet e pamëshirshme.

 Dikur në Korçë kam dëgjuar një të vërtetë, sesi shumë kohë më parë, një i varfër, i pa ngrënë, tek endej rrugëve, veç të tjerash edhe prej erës së marrë i rrahur dhe i munduar, të ketë thënë:“Fry moj erë fry! Shpirtin e një fukaraj do të marrësh!”Thuhet gjithashtu se në anën tjetër të qytetit tonë, një i...

» BK/SHJT - Filozofia: Nektar Tërpo Voskopojari dhe romaku Petronius për filozofinë e jetës.

 Nektar Tërpo Voskopojari dhe romaku Petronikus,tregojnë me shëmbuj të ngjashëm,filozofi të ndryshme, mbi kuptimin e thelbit të jetës.Në fillim të shek. të 18-të, aty nga vitet ’720 - ’730, një murg nga Voskopoja і quajtur Nektar Tërpo, tepër і ngritur, і cili me sa duket jetën e tij e kaloi fillimisht në Voskopojë e...

» MZ- Aforizma: Nga filozofia amerikane (vazhdim).

 Të katër liritë“ … Në ditët që do të vijnë, tek të cilat ne kërkojmë të kemi sigurinë, duhet të mendojmë për një botë të themeluar mbi bazën e katër lirive thelbësore të njerëzimit.E para, liria e fjalës dhe e shprehjes – kudo në botë.E dyta, liria për çdo njeri, që të adhurojë Zotin sipas mënyrës së vet...

» BK/LA - Poezia - Vargje platonike dashurie, të recituara dhe të shoqëruara me muzikë.

                                                  Platoni, filozofi і madh, jetoi në kapërxim të dy shekujve, V-të dhe të IV-të para Kr. Lindi dhe vdiq në Athinë (428-347). Që në vogëli ai mori një edukim...

Share