MZ - Aforizmë: H. A. Korça

Pasurinë mund ta vjedhin, por diturinë jo.
Ai që ta ruan të fshehtën të do me shpirt.

 



Pushtetari ka për detyrë t’i justifikojë privilegjet, përpara popullit të vet, me vepra.

 

Në vitin e dhjetë të luftës së Trojës, pas betejash të pafundme për rrëzimin e mureve të famshme të qytetit më madhështor të botës së asaj kohe, të ngujuarit dhe rrethuesit, Trojanët dhe Akejtë, të dy palët tashmë të lodhur, të mbaruar, të raskapitur sa s’ka, bënin përpjekjet e fundit. Kështu, herë Akejtë u turreshin mureve të larta për t’i rrëzuar ato dhe herë Trojanët duke dalë prej tyre, vërsuleshin mbi gardhet që mbronin anijet e ankoruara të armikut për t’i djegur ato. Në një betëjë të tillë kur Trojanët kundërsulmojnë me shpirt në dhëmbë për të djegur anijet dhe për të hedhur Akejtë në det, Sarpedoni princi i Likëve që luftonte në krah të Trojanëve, i kujton dertyrën që kanë prijësat ndaj popullit të vet Glaukos, princit tjetër të Likisë. (Homeri, Iliada : Rapsodia e 12-të, vargj. origjinale 290 – 328). Le ta dëgjojmë.

 

 ……………………………………………………………………….
Deri në një farë kohe, dukej se, Trojanët me në krye Hektorin trim,
nuk do të mundnin dot,
dyert e mureve t’i hapnin,
për të hyrë brenda pastaj, drejt anijeve me rrëmbim.
As llozin e madh me të cilin, dyert i mbyllnin, i siguronin,
nuk do të mundnin dot, as atë ta shkatërronin,
sikur,
Zeusi të mos kish erethisur, a nxitur të birin, Sarpedonin,
kundër Akejve që të rrethuar qëndronin,
Sarpedonin, i cili ngjiste me një luan të uritur,
që buajve qimendritur u sulet për t’i shqyer, çarvalitur.
E pra,
ky rrëmbeu mburojën dhe me të përpara, sulmoi pa u tundur,
mburojë kjo rrethore, metalike e bukur,
e farkëtuar më së miri prej farkëtari të zotë,
veshur brenda dendur, me lëkurë të trashë buajsh të fortë,
fiksuar gjithë mjeshtëri,
me shufra e gozhdë të arta, në periferi.
Ky me këtë përpara dhe me dy ushta në dorë, duke i tundur, vërtitur,
u nis për mësymje si një luan a bishë, që malit është rritur,
që për një kohë të gjatë,ësht' pa ngrënë, mish s’ka vënë në gojë
dhe prej urije, i shtyhet shpirti e zemra të sulmojë,
stanin e rrethuar me gardhe gjithandej,
për tu hedhur mbi tufat me dhi e dhenj,
që edhe sikur të gjejë aty, barinjtë tek ruajnë bagëtinë,
me qenër, ushta dhe kraba, nuk e prish terezinë.
Nuk ka ndërmend të largohet prej andej,
pa sulmuar një herë mbi dhi e dhenj,
dhe i papërmbajtur, ose do të hidhet diç’ të zhvatë, të rrëmbejë,
ose, do të shtrihet prej ushtës që një dorë e fortë, në vend do ta lerë.
Kështu pra, zemra e vet gjithë guxim,
e shtyu Sarpedonin për sulmim,
muret t’i rrëzojë,
bedenat t’i shkatërrojë.


Ndërkaq, në çastin teksa sulmonte,
ky, iu kthye Glaukut, të birit të Ipolohut e i thotë:
“Ej, Glauk i dashur! A nuk më thua?
Përse vallë na nderojnë kaq shumë ty dhe mua,
duke na vënë në krye, atje në Liki,
me mishra të pjekura dhe kupat plot, ndryshe nga çdo njeri,
dhe të gjithë me admirim na shikojnë,
sikur kanë përpara perëndi, që qiejve jetojnë?
A nuk më thua, përse vallë,
ne kemi kopshte të mëdhaja, vreshta të bukura, të rralla,
aty në brigjet e lumit Ksantho,
kopshte këto që s’gjenden kudo,
të veshura gjith pemë, bimësi,
si dhe toka pjellore për grurë që s’ka njeri?
E pra, për sa kohë jemi parì dhe ndër të parët,
duhet që tani t’i prijmë luftëtarët,
të marrim pjesë në këtë luftë, të pamëshirshme, kobëfortë
që të mundë pastaj dikush prej Likëve luftëtarë të thotë:
 
“Ju takon vërtet, mbretërve tanë që mbretërojnë në Liki,
të hanë mish të majmë shqerre, të pinë verë të mirë mjaltë, të kenë nder dhe lavdi,
mbasi edhe detyra dhe forca e tyre në luftë, është e tillë që s'e ka njeri,
në rrezik luftojnë, të parët mbi të parët.”
I dashur!
Po të ish, se vërtet luftës i dilej lehtë mbanë dhe mbijetohej
dhe po qe se për shekuj me rradhë, pa vdekur rrohej,
të pa mplakur, pa fund, pa moshë,
e pra dije,
se as unë në betejë mes të parëve, nuk do të luftoja
dhe as ty nuk do të nxitja të luftoje, s’do të frymëzoja.
Frika e vdekjes, i jep të mbijetuarit vlerë,
sfida ndaj saj, ndeshja me të, i jep trimit në luftë lavdi,  
e ngre mbi të tjerët.
Eja pra tani, meqënëse mbi kokë na qëndrojnë,
mijëra forma vdekjesh, të cilave dot s’u shpëtojmë,
eja pra të provojmë,
nëse me vdekjen tonë lavd’ do t’i japim dikujt ne,
ose nëse dikush tjetër,
me vdekjen e vet, me lavdi do të na çojë neve, deri në re.”
………………………………………………………………….

Shqipëroi: Ilia V. Ballauri 
 
 

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Morali - Saadiu për ushqimin e shpirtit: Bli një zymbyl që shpirtin ta ushqesh, ta ngrosh.

 Saadiu (1184 – 1283) nga Shirazi i Persisë, konsiderohet si një nga poetët moralë më të mëdhenj, jo vetëm të mesjetës anatolike por, për të gjitha kohërat.Në vargjet e mëposhtme, ai na kujton se njeriu ka fort nevojë, që të ushqejë edhe shpirtin.Dhe në qoftë se me kamjen nuk ke lidhje, je rrjepacak,Dhe, me zor dy copa...

» MZ - Fausto Melotti: Klithmat joshëse e tinzare të "njeriut të minjve"

      Fausto Melotti (1901 - 1986), skulptor i madh italian, i shekullit të 20-të, njëri prej përfaqësuesve më të mëdhenj të artit modern në Itali, u bë i njohur në vëndin e vet në një moshë relativisht të madhe, pasi ai kish mbushur të pesëdhjetat, madje vlerësimi i plotë për të u bë në vitet, ‘70, ‘80.I njohur...

» MZ - Poezia - Homeri: Iliada, Rapsd. II-të, (vargj.orgj., 278 - 332)

Për një çast, gjatë luftës së gjatë dhe të lodhshme të Trojës, turma e Akejve e grumbulluar, para mureve të pamposhtur të qytetit, në një gjëndje dëshpërimi dhe të pashpresë, kërkonte të kthehej në atdhe, duke hequr kështu dorë njëherë e mirë, prej qëllimit të dyfishtë, d.m.th. prej rimarrjes së Elenës së bukur...

» MZ - Sport - Homeri, Iliada.

Mbi garat sportive të zhvilluara 3196 vjet më përpara, sesa Olimpiada e vitit 2012, që u zhvillua aq bukur në Londër. (Nxjerrë prej Iliadës së Homerit.)Olimpiada më e fundit, më moderne që u zhvillua në Londër dhe që ishte kaq e bukur dhe kaq madhështore, të gjithëve na ka mrekulluar. Të mos e fsheh, mua më emocionoi së...

» MZ/Poezia - Homeri mbi kapjen në flagrancë të pabesisë bashkëshërtore.

 Â Për herë të parë, nuk ka qënë njeriu por perënditë që kanë dashuruar vjedhurazi duke shkelur besën bashkëshortore, kështu thonë mithet dhe kështu thotë Homeri, tek rapsodia e 8-të e Odisesë. Perëndia e bukurisë femërore, e dashurisë, e të shtriturit në shtrat, Afërdita (ose Venusi, për latinët), e pa përmbajtur...

Share