Lindi në Korçë më 1904 me prindër, Vasil Milin dhe Viktori Çekanin dhe vdiq më 1984 në Stamford, Amerikë. Familja e tij fillimisht emigroi në Rumani e më pas në Amerikë, ku ai mbaroi studimet për inxhinier elektrik më 1927 në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (Institute of Technology).
Megjithatë, ai u bë i njohur në botë në fotografi, fushë kjo në të cilën ai ishte autodidakt. Nga viti 1928 deri në vitin 1938, punoi në kompaninë e njohur elektrike amerikane WE dhe duke filluar nga viti 1939 e deri në fund të jetës së vet, punoi si fotograf profesionist në revistën e njohur, “Life Magazine“.
Gj. Mili ishte i pari që përdori për fotografim flashin dhe dritën stroboskopike. Kjo e fundit është drita që emetohet prej një paisjeje speciale që jep flashe të njëpasnjëshme.
Duke filluar nga vitet ’30, fotografitë e tij sidomos ato që kanë të bëjnë me performancat koreografike, teatrale, sportive dhe muzikore, që lidhen me bukurinë, kompleksitetin dhe sekretet e sekuencave apo dinamizmit dhe rrjedhshmërisë së lëvizjes, elemente këto tepër të vështira për tu kapur prej syrit të lirë, janë admiruar nga mijëra e mijëra lexues të revistës, “Life“ apo edhe të botimeve të tjera. Për thuajse pesëdhjetë vjet, falë një pune krijuese intensive, ai është autori i mijëra fotografive. Gjithë punën e vet gjysmëshekullore ai e pasqyroi tek vepra Photographs and Recollections (Fotografi dhe Kujtime).
Gj. Mili konsiderohet si një nga fotografët, i cili ka luajtur rol në konceptet që kemi ne sot mbi lëvizjen dhe këtë ai e ka bërë duke sjellë shëmbuj me fotografitë e tij si dhe nëpërmjet ndikimit që ai pati më pas, tek fotografë të tjerë, që e pasuan.
Ndërkaq edhe fotografitë e bëra prej tij për artistë, muzikantë dhe personalitete të tjera të njohura, (Hitchkok, Stravinski, Rubishtain, Matis, Frank Sinatra, Jonesko, etj.) ndonëse nuk janë aq spektakolare sa ato që përmëndëm më sipër, përsëri duhet thënë se edhe ato janë gjithashtu të realizuara plot mjeshtëri, janë kryevepra.
Gjon Mili u vlerësua prej Zhan Pol Sartit, bashkëpunoi në mënyrë të veçantë me Pablo Pikasonë, etj, etj.
(Shënim: Familja Mili, del si e njohur në Korçë të paktën qysh në vitet 1880.)
Një portretizim i Gjon Milit prej Zhan Pol Sartr.
“ Ai ka një kokë në formën e kokës së milingonë-ngrënësit. Hunda e tij duke nuhatur aromat e jetës, i paraprin qënies së tij, njësoj sikur të jetë gati të zhytet papritur, në një fole milingonash. Poshtë hundës, më prapa pak, në fytyrën e tij vazhdojnë mustaqet e vogla.
Pjesa tjetër e fytyrës, pra sytë, faqet, flokët e tij të shpurpurisura, të kujtojnë një bandit. Ai pra ka pamjen e një gjuetari.
Përpara se unë ta takoja dhe të njihesha me Milin, isha familjarizuar dhe njihja vetëm ata fotografë gjakhollë, të cilët kur marrin në fotografi, të lenë një ndjenjë indinjimi, të duket sikur dikush vret dikë. Mili nuk të indinjon, atij i pëlqen gjithçka, të ngrënët, të pirët, të vallëzuarit. Ai e njeh Harlemin, më mirë se çdo i bardhë tjetër. Ai e njeh Nju Jorkun më mirë se kushdo. Ai është i lumtur. Ai nuk do që juve t’iu vrasë, përkundrazi ai do që t’iu kapë të gjallë. Edhe tek fotografitë më të mira, ju nuk jeni gjë tjetër veçse një trup i fiksuar, i ballsamosur, i konservuar në hiposulfit, ndërkohë kur qënia juaj e vërtetë ndryshon vazhdimisht, vetëm nën ndrydhjen e përhershmërisë.
Mili ju kap në grackë, të gjallë, bruto siç jeni. Në fotografitë e tij ju jeni gjithmonë, duke luftuar me veten tuaj. Mili është një njeri i marifeteve të çarkut, të grackës, është pra i një shkathtësie të tillë që ju nxjerr gjithmonë jashtë loje. Ai nuk kënaqet vetëm që të kapë figurat e shquara në kameran e tij, përkundrazi ai me çdo pozë kërkon të eksperimentojë, të provojë. Për të, ka aq mënyra për të fotografuar sa ka edhe mëndje njerëzore. Në qoftë se ai ju bën, pjesë të koleksionit të vet të fotografive, ai jo vetëm që do t’ju fiksojë të gjallë ashtu siç dhe jeni, duke luftuar por për më tepër, ai do të bëjë vrojtime mbi ju, do t’ju njohë, duke depërtuar dhe depërtuar, brenda jush.
Njerëzit primitivë të kontinentit jugor, thuhet se, nuk duan të dalin në fotografi, mbasi besojnë se në këtë mënyrë, ata mbeten robër përgjithmonë të fotografit. E pra, për të kuptuar vërtet, këtë mendim të zgjuar të tyre, ju duhet të shihni vetëm disa fotografi të portreteve të Gjon Milit.”
Nga shënimi i Zhan Pol Sartrit, për të prezantuar Gjon Milin më 1946, në një ekspozitë fotografësh, që u bë në këtë kohë në Paris.
Jean-Paul Charles Aymard Sartre (1905 – 1980)
ishte një filozof ekzistencialist, shkrimtar, kritik letrar, dramaturg, aktivist shoqëror, etj., me influencën më të madhe në botën intelektuale franceze të shek 20 – të. Më 1964 atij iu dha çmimi Nobel të cilin ai nuk e pranoi.
Gjon Mili dhe pikturimi me dritë i Pikasosë.
Të vetmet piktura me dritë të Pikasosë, të pa përsëritshme, janë vepër e bashkëpunimit të tij me Gjon Milin, prej Korçe. Mili nisur nga idetë e tij të fotografimit të lëvizjeve, i vendosur takohet me Pikasonë, takohet me të, në një mënyrë të çuditshme, siç edhe ai e tregon në kujtimet e veta.… Kur pyeta sesi ta takoj Pikasonë, gjithkush që e njihte atë [në qytezën Vallauris, në jugë të Francës, ku ai banonte në atë kohë, 1949] më dha të njëjtën përgjigje: “Shko në plazh se aty e gjen”… I qepur pas plazhit ku Pikaso shkonte çdo ditë për not, e vrojtova atë nga distanca, për një mëngjes të tërë, derisa u mësova dhe e mësova atë mirë. Ditën tjetër kur ai po largohej prej plazhi, i dola përpara dhe i preva rrugën (Qënka shumë i shkurtër mendova, në atë çast). “ Më falini. Jam fotograf, dhe do të desha t’ju bënja një portret.” “Oh?” tha ai duke bërë një grimacë. “Seriozisht, i thashë dhe në atë çast i tregova atij një fotografi të marrë në errësirë ku tregohej kërcimi i një patinatori i skicuar prej dritash të vendosura në patinat e tij. Pikasoja reagoi menjëherë. I shtyrë prej kësaj fotoje ai filloi të pikturojë duke lëvizur gishtin e vet në ajër.
Në krah jepet një foto e Gjon Milit i cili paraqet Pikasonë, duke skicuar me dritë. Efekti fotografik krijohet duke hapur fillimisht kameran, teksa Pikaso qëndron në errësirë i përkulur për të filluar pikturën e vet momentale. Ky çast fiksohet me dritë (flash). Pataj, pas dritës, në errësirë, Pikaso pikturon shpejt imazhin apo pikturën e vet në ajër me një “laps prej drite” (llambushkë e ndezur me bateri), pikturë kjo që realisht zhduket, me të mbaruar lëvizja e tij, por që fiksohet në celuloidë. Çasti i përfundimit të imazhit fiksohet përsëri me flash. Mund të ketë edhe ndonjë fiksim të tillë në mes të konfigurimit të imazhit. Kombinimi i tyre jep pikturat e famshme të tij të quajtura të “çastit”.
Hulumtoi dhe përgatiti:Ilia V. Ballauri